Muaji i “nusërimit” të Rrumbullakut mbaroi, por policët as mjekrat nuk i kanë rruar

Sepse deri tani, krahasuar me premtimet për ndryshimet në polici, drejtori i përzgjedhur prej Edi Ramës, është si te ajo kënga në Dajt me Agron Kuliçajn: “Bjeri, bjeri çiftelisë o Met…”; pasi policët nuk po i zbatojnë as urdhrin për të rruar mjekrat…

Më 7 shtator kryeministri Edi Rama e prezantoi Drejtorin e Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, si një “nuse e re pa huqe, pa vese e të ndershme”, që me punën tij do “pastronte dhe fuste në binarë” familjen e ç’akorduar të policisë.

Vetë Rrumbullaku, u betua se brenda 100 ditëve siç e urdhëroi kryeministri, do këpuste lidhjet e shefave e segmenteve të policisë me krimin, por dhe ndryshonte perceptimin e keq publik ndaj policisë, duke e reformuar në ide, praktika e struktura.

Madje me mendimin se ishin bërë pazare për dhënin e 75 gradave “Kryekomisar”, Rrumbullaku anuloi konkursin e shpallur nga Gledis Nano, me argumentin se emërimet do bëheshin me bord.

Muaji i “nusërimit” si drejtor i mbaroi, por brenda policisë, nuk ka asnjë shenjë se Muhamet Rrumbullaku i është futur punëve për të bërë ndryshimet e premtuara; megjithëse ka kaluar 40% e afatit 100 ditor që i la kryeministri Rama.

Deri tani ka nxjerrë urdhrin që policët të heqin mjekrat e mustaqet. Ka hequr nga Dibra mikun e tij Skënder Hitaj duke e sjellë Drejtor Policie në Durrës, ndërsa në Dibër çoi Dhimo Ziun, meqë është në prag të pensionit, i cili ato 2 ditë që qëndron në Dibër, fle te vila e Imer Lalës.

Sipas Zyrës së Shtypit të Policisë, ka prangosur një 80-vjeçare që ndërtoi kotecin pa leje dhe 1 çoban në Korçë, i cili kishte disa dele pa dokument blerjeje, me dyshimin se i ka vjedhur në Greqi e në total ka bërë 123 arrestime, ndërsa 17 persona që kanë lidhje me shefat e policisë e politikanë i kanë shpëtuar prangave e janë arrati, siç i ka shpëtuar dhe Talo Çela në 4 aksione.

Në listat e arrestimeve ka hallexhinj, por nuk ka asnjë emër “të fortësh” të lidhur me pushtetarët, që vazhdojnë ndërtojnë pallate pa leje dhe asnjë zyrtarë shteti, të zhytur në krime ekonomike-financiare, madje pas raportit të DEA, Rrumbullaku nuk ka bërë as procedimin penal për bosin e “Bana King”, Trifon Murataj.

Dhe aksioni për arrestimet e vëllezërve Beqiraj në Durrës e 15 të tjerëve pas rrëfimit që bënë ata, ka qenë një rastësi për vetëmbrojtje e tyre, duke bashkëpunuar me prokurorinë.

Pyetja që shtrojmë sot është e thjeshtë: – A do t’i futet punëve për pastrimin e policisë dhe reformimin e saj zoti Rrumbullaku?

Sepse deri tani, krahasuar me premtimet për ndryshimet në polici, drejtori i përzgjedhur i Edi Ramës, është si te ajo kënga në Dajt me Agron Kuliçajn: “Bjeri, bjeri çiftelisë o Met…”; pasi policët nuk po i zbatojnë as urdhrin për të rruar mjekrat./Pamfleti

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej