Ish-oficeri i Policisë Rrugore të Tiranës, Naim Hyska, ka ndërruar jetë ditën e djeshme në moshën 57-vjeçare.
Lajmin për ndarjen nga jeta të ish-oficerit e ka bërë me dije vajza e tij, Borana Hyska.
Këtë të enjte janë zhvilluar homazhe për humbjen e parakohshme të Hyskës, ndërsa varrimi do të bëhet ditën e nesërme.

Kujtojmë se Naim Hyska u plagos më 24 dhjetor të 2011-ës me një plumb në kokë.
Ngjarja ndodhi në një rrugicë pranë kryqëzimit të “21 Dhjetorit”, teksa ish-oficeri po kthehej në banesë me djalin e tij 12 vjeç në makinë.
Kur po i afrohej shtëpisë, në një rrugicë dytësore është shfaqur atentatori, i cili duke përfituar nga errësira dhe nga distanca e afërt qëlloi me precizion të lartë.
Ai mori një plumb në kokë që në qitjen e parë të armës së autorit, duke humbur çdo mundësi kundërpërgjigjeje apo qoftë edhe një tentativë për të ikur nga vendngjarja e për t’u shpëtuar plumbave.

Asokohe pista kryesore e hetimeve ishte ajo e një “hakmarrjeje” të mundshme, për shkak të detyrës në Vlorë dhe Sarandë.
Por, autoritet nuk mundën të zbardhin asnjëherë këtë ngjarje, e cila nuk ka ende një autor.