Në Veting Andri Ymeri, gjyqtari që i sekuestroi 2 milionë euro Tom Doshit dhe goditi bandat. I dogjën makinën. I vetëm kundër kartelit non grata

Nesër, në 9 dhjetor 2022, do të paraqitet në seancë dëgjimore në Komisionin e Vetingut, gjyqtari i Shkodrës, Andri Ymeri, për t’u njohur me rezultatet e verifikimit.

Ymeri njihet si një nga gjyqtarët më profesionistë dhe me integritet në sistemin e drejtësisë, asnjëherë i lakuar për një vendim qoftë të dyshimtë.

Jo rastësisht, Andri Ymeri është i gjyqtari që i ka sekuestruar Tom Doshit rreth 2 milionë euro para të pista.

I shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të “angazhimit të tij në korrupsion domethënës”, Tom Doshi ka arritur të thyejë në vijimësi prokurorët dhe gjyqtarët me para dhe presione, duke i shpëtuar veprimit ligjor për fshehje pasurie, pastrim parash, blerje votash, inskenime, shantazhe, ndikim të paligjshëm, përvetësim të pasurive publike dhe kontrabandë të dyshuar.

Kur ishte deputet, Tom Doshi ka marrë mbi 2 mijë tendera vetëm në shëndetësi, përmes kompanisë farmaceutike Aldosch – Farma, Aqif Hoxha, një nga maskat e Tom Doshit.

Pas vendimit për t’i bllokuar paratë Tom Doshit, gjyqtarit Ymeri i është djegur makina para banesës, një ngjarje kjo e pazbardhur.

Djegia e makinës ishte një mesazh i segmenteve të krimit dhe korrupsionit ndaj gjyqtarit.

“Gjyqtari duhet të jetë i përgatitur për çdo gjë. Nëse kam qenë unë objektivi, ta harrojnë se mund të më bëjnë presion për punën time”, tha gjyqtari pas ngjarjes.

Andri Ymeri ka dënuar me burg edhe anëtarë të grupeve kriminale më të fuqishme në Shkodër, të cilët gjithashtu kanë sfiduar dhe blerë drejtësinë për vite me radhë.

Ymeri ka dënuar edhe Behar Bajrin me 5 vite burg, i konsideruar një nga personat më të rrezikshëm në Shkodër.

Prapaskena mëson se fije të krimit të organizuar dhe korrupsionit po përpiqen të ndërhyjnë, me qëllim për të larguar Andri Ymerin nga sistemi.

Sipas burimeve, ka një trysni ndaj trupës gjykuese që të gjejë dhe të sajoje shkaqe qesharake dhe banale, pra gjilpërën në kashtë, për të goditur gjyqtarin.

Ashtu siç edhe do të dalë në pah gjatë seancës dëgjimore, gjatë hetimi dyvjeçar, KPK-ja nuk ka gjetur asnjë shkak, mospërputhje, shkelje dhe rrethanë, për të marrë një vendim negativ për gjyqtarin.

Komisioni i Vetingut është para një prove të fortë nëse do të zbatojë ligjin e Vetingut apo dëshirën e krimit dhe korrupsionit për të larguar gjyqtarin nga sistemi.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej