Drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Dallëndyshe Bici ka reaguar ditën e djeshme pas problemeve që kanë përfshirë Kadastrën. Duke mos pranuar që ka kolaps, por thjesht një ngërç dhe vonesa, Bici ka akuzuar noterët dhe grupe të tjera interesi se po sulmojnë padrejtësisht Kadastrën për qëllime okulte.
U bë kaq javë që Kadastra është nën sulme të vazhdueshme. Nga grupe interesi që hapur, apo fshehur, me arsye, apo jo, bëjnë çmos të përlyejnë fytyrën e re të ASHK, atë ku mitmarrja dhe korrupsioni nuk janë fjala e ditës, e ku zyrtarët si shumica e qytetarëve të këtij vendi duhet të presin normalisht pagën në fund të muajit, e meqë nuk janë mësuar kështu, dorëhiqen, tha Dallëndyshja dje.
Po pse nuk përmend Bici emrat se cilët janë këta drejtorë të dorëhequr që paskan jetuar veç me korrupsion? E vërteta është se askush nuk ka dhënë dorëheqjen kohët e fundit ndërsa disa emra kanë shkuar në dëtyra më të larta ose më të respektuara.
Konkretisht, Maringlen Disha la postin e kreut të Kadastrës së Tiranës, për t‘u zgjedhur kryetar i Bashkisë Librazhd. Onid Bejleri, drejtori i Ashk Shkodër e la detyrën dhe u emërua nënkryetar i Bashkisë Shkodër. Besa Spaho është emëruar nënkryetare e Bashkisë së Korçës. Risena Xhaja ushtron detyrën e sekretares se përgjithshme në ministrinë e Financave.
Tani le të na tregojë Dallëndyshja emrat e drejtorëve që paskan dhënë dorëheqjen e në këtë mënyrë qenka zhdukur ryshfeti, ose të pranojë që Kadastra është institucioni më i korruptuar në Shqipëri./ShkodraNews