Nga pasuria, te 4 dosjet e nxehta në duart e SPAK, pse Ilir Meta pas 24 korrikut bëhet politikani më i rrezikuar nga drejtësia

Deri tani pas hekurave kanë shkuar cironka, por me hapjen e negociatave shtohet pesha ndaj SPAK dhe po ashtu shtohet numri i politikanëve të rrezikuar. Në krye është Ilir Meta….

Presidenti Ilir Meta, pas 24 korrikut do të jetë një pre shumë e lehtë e drejtësisë. Gjatë 30 viteve në politikë, Meta ka pasur gjithmonë imunitet dhe mbështetje politike duke i bërë ballë çdo hetimi.

Por pas 24 korrikut ai do të jetë qytetar i lirë si të gjithë shqiptarët dhe do të kthehet në politikanin më të rrezikuar prej drejtësisë. Meta do jetë pa asnjë post politik dhe në këtë mënyrë pa asnjë mbrojtje. Edhe pse ai do marrë frenat e LSI, nuk do ketë asnjë lloj imuniteti.

Edhe pse dosjet dhe akuzat kundër tij janë të shumta, momentalisht nisja një hetimi ndaj tij është i pamundur sepse e ndalon Kushtetuta. Kjo e fundit i jep atij imunitet dhe drejtësia nuk mund të hetojë, përgjojë apo procedojë. Por nga e hëna e javës që vjen Meta nuk do e ketë këtë privilegj, pasi të dielën pasdite dorëzon detyrën.

Por çfarë e rrezikon Ilir Metën?

Së pari, në duart e Prokurorisë së Posaçme janë 4 dosje, që nëse hetohen si duhet, Meta përfundon te Alqi Bllako dhe Lefter Koka. Dosja e parë është ajo e aferës CEZ-DIA. Ka një padi të bërë nga juristi Romeo Kara, i cili akuzon Metën se është ai kumbari i kësaj marrëveshje. SPAK e ka hapur si dosje dhe po tentohet që ish-administratori i DIA, Kastiot Ismailaj të kthehet në dëshmitar të penduar. Nëse ai flet, atëherë Meta fundoset. Por edhe nëse ai nuk flet, faktet janë flagrante, pasi Meta uli çmimin e energjisë në kohën kur ishte ministër Ekonomie për të favorizuar CEZ dhe DIA.

Dosja e dytë është ajo e rrëfimit të Nuredin Dumanit. Ky i fundit në dëshminë e tij ka akuzuar presidentin se ka porositur vrasjen e vëllait të ish-deputetit Arben Ndoka. Edhe pse kaloi pa shumë zhurmë si rast, mësohet se SPAK po bën verifikim të të gjitha qëndrimeve të Dumanit dhe nuk përjashtohet mundësia të kemi zhvillime.

Dy dosjet e fundit janë paditë e bëra nga ish-deputeti Halit Valteri. Ai ka bërë një padi për lobimet e LSI në SHBA duke mos deklaruar rreth 700 mijë dollarë. Po ashtu ka bërë një padi për fshehje pasurie nga ana e Metës dhe Monika Kryemadhit. Të dyja paditë janë pranuar dhe ka nisur verifikimi. SPAK tani nuk ka asnjë pengesë të hetojë presidentin.

Elementi tjetër që mund të fundosë Metën është pasuria. Meta dhe Berisha janë dy politikanët me pasuri të lartë dhe të vënë në mënyrë të dyshimtë. Në Parlament ka shumë deputetë me pasuri të lartë, por ata janë biznesmenë, ndërkohë që Meta gjithë jetën ka qenë politikan.

Në vitin 2003, Meta ka deklaruar një banesë të përfituar nga privatizimi si dhe një banesë me verandë+lulishte në Golem, 327 m2. Vlera në atë kohë është deklaruar 60 mijë dollarë, ku thuhet se janë marrë kredi. Por ajo që i ka dhënë më shumë të ardhura janë 13 apartamente të përfituara nga Monika Kryemadhi. Ajo ka marrë 13 apartamente në kuadër të një marrëveshje me një firmë ndërtimi. Edhe pse në deklaratën pranë ILDKP nuk jepen shumë qartë të dhënat, Kryemadhi rezulton pronare e truallit ku është ndërtuar pallati dhe në këmbim ka marrë 13 apartamente me vlerë totale 1444.8 m2. Shumica e tyre janë shitur nga viti në vit.

Po ashtu, Meta e Kryemadhi kanë deklaruar një banesë në kryeqytet me sipërfaqe 200 metër katror me vlerë 400 mijë euro. Pjesë e deklarimit është dhe 500 m2 tokë+200m2 truall me vlerë 5 milionë lekë. Por mister mbete vlera reale shtëpisë në Gjirin e Lalzit, e cila kushton disa milionë euro. Kjo do të thotë se pasuria arrin në dhjetra miliona euro. Shtëpia e tyre në bregdet është bërë gjithmonë objekt debati dhe sipas deklarimeve në ILDKP, bëhet fjalë për një banesë dy katëshe me sipërfaqe 317 metra katror në Gjirin e Lalzit. Sipas deklarimit, burimi është këmbimi me sipërfaqe ndërtimore 300 metra katrore, ambiente tregtare, sipas kontratës me firmën Agi-Kons shpk, si përfitues 33 % të sipërfaqes së ndërtimit si pronar trualli. Edhe 13 apartamentet janë përfituar nga po kjo kompani.

Pra mjaftojnë këto elemente që SPAK të shkruajë historinë. Deri tani pas hekurave kanë shkuar cironka, por me hapjen e negociatave shtohet pesha ndaj SPAK dhe po ashtu shtohet numri i politikanëve të rrezikuar. /Pamfleti

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej