Nga Ristani, te Gjiknuri e Kraja, si janë bastisur shtëpitë e zyrtarëve dhe misteri i parave të grabitura

Vjedhja në shtëpinë e funksionares së lartë shtetërore Alda Klosi, dëshmoi edhe një herë jetën e luksit që bëjnë drejtuesit e shtetit shqiptar.

Në banesën e saj janë vjedhur më së paku 120 mijë euro para kesh dhe bizhuteri, por ndërkohë në shtëpinë e familjes Dobi u gjetën dhe 400 mijë euro të tjera, të cilat nuk dihet se ku janë marrë. Dyshime ka se ato janë vjedhur në banesën e zonjës Klosi apo në disa banesa të tjera ku zonja  Rozeta Dobi punonte si sanitare. Banesa që janë po në pronësi të zyrtarëve të lartë. Por ajo që bie në sy është se si Alda Klosi ashtu dhe emra të tjerë që mund të jenë grabitur, nuk kanë bërë asnjë denoncim për 400 mijë euroshin.

Historia është e ngjashme me disa ngjarje të tjera që kanë ndodhur në vend, pasi ajo nuk është zyrtarja e vetme që është grabitur. Të njëjtin fat e kanë pasur edhe ministra dhe deputetë, madje dhe vetë ish-kreu i SPAK. Në disa raste ngjarjet janë mbajtur të fshehta.

Një ndër grabitjet që ka bërë shumë bujë është ajo e banesës ku jeton nëna e Damin Gjiknurit. Grabitja ndodhi në tetor të vitit 2017. Policia e mbajti të fshehtë ngjarjen dhe më pas ishin mediat që hodhën dritë. Fillimisht u raportua se nga banesa kishin dalë shuma të mëdha parash të futura në thasë. Ndërkohë më pas nëna e tij bëri denoncim në polici duke deklaruar se i kishin vjedhur 3 milionë lekë të vjetra të mbledhura nga pensioni.

Pre grabitjes ka rënë gjithashtu banesa e ish-deputetit të PD, Arben Ristani në Gjirin e Lalëzit. Ngjarja ka ndodhur një korrik të viti 2015. Nuk u mor vesh kurrë se çfarë u grabit në atë banesë. Vetë Ristani tha se morën vetëm disa celularë.

Ndërkohë mësohet se pranë tij u grabit dhe një tjetër vilë, në të cilën pushonte ish-ministri dhe deputeti Flamur Noka. Edhe për këtë grabitje nuk pati asnjëherë shumë informacion.

Po në Gjirin e Lalëzit është grabitur banesa e ish-kreut të SPAK, Arben Kraja. Ky i fundit e ka mohuar, po në fakt një video e publikuar në media e tregon qartë se disa të rinj futen në banesën e tij. Edhe në këtë rast ka shumë mister, pasi nuk dihet se çfarë është grabitur.

Po ashtu pre e grabitjes ka rënë banesa e ish-deputetit Socialist Namik Kopliku në vitin 2016. Persona të maskuar u futën me dhunë në banesë dhe vodhën para e sende me vlerë. Ishte vetë deputeti që bëri denoncim dhe reagoi në media.

Rasti i Alda Klosit duket se është një mundësi për prokurorinë të tregojë veten, pasi nëse 400 mijë eurot janë marrë në banesa të tjera zyrtarësh, duhet që të nis një kontroll për çdo emër ku ka punuar pastruese zonja në fjalë. /Pamfleti

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej