Ngjitja në skenën e SHBA-ve, a e kaloi Ilir Meta “ylberin” në kurriz të Sali Berishës?

Kalimi dy herë i “Ylberit” nga Ilir Meta, një herë në vajtje dhe një herë në kthim, ka më shumë logjikë për rastin e parë, kur i prishi marrëdhëniet me SHBA-të dhe përfaqësuesit e saj në Shqipëri për ato arsye që dihen, se sa për të dytin, kur duket se i ka normalizuar ato për arsye që ende nuk dihen.

Fjalimi i Ilir Metës në skenën e Pallatit të Brigadave, në festën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbrëmjen e 1 korrikut 2022, ishte një surprizë për shumëkënd, si ata që i kanë ndjekur zhvillimet politike të muajve e viteve të fundit, deri edhe për shqiptarin më të pa interesuar.

Nëse do të ktheheshim pas në kohë, në mbrëmjen e 23 prillit 2021, dalja e përbashkët e Presidentit dhe ambasadores së SHBA-ve të premten në mbrëmje, as do të ishte imagjinuar edhe nga optimistët më të mëdhenj, ata që i bëjnë fresk politikës dhe politikanëve. Ndoshta as nga vetë Ilir Meta.

Marrëdhënia e Presidentit të Republikës me SHBA-të dhe përfaqësuesit e saj në vend, nga Donald Lu te Yuri Kim, ka qenë mjaft e trazuar, me shumë ulje dhe shumë pak ngritje.

Atëherë, çfarë po ndodh? Si ka mundësi që një politikan që deri dje përshkruhej si i dyti në radhë pas Sali Berishës për sanksione nga Departamenti i Shtetit, të marrë vëmendjen në festën më të rëndësishme të Amerikës?

Sinjalet ishin dhënë për një afrim të Metës me ambasadën e SHBA-së me pritjen e ish-ministrave të Jashtëm që vetë zonja Kim organizoi me rastin e përvjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA.

Por kjo ishte parë si një shenjë armëpushimi më shumë i diktuar nga marrëdhëniet institucionale.

Aq më tepër kur janë të freskëta përplasjet mes vetë ambasadores dhe Presidentit ende në detyrë, me replika publike të njëpasnjëshme për një mori çështjesh që nga reforma në drejtësi, zgjedhjet, “non gratta” i Berishës e sërish reforma në drejtësi.

Është e vërtetë që asnjë ambasador amerikan nuk vepron sipas shijeve personale të tij, por ka një agjendë të përcaktuar që e shtyn përpara.

Vetëm se nuk ka ndonjë rast të ngjashëm kur përplasjet e forta me politikanë të veçantë brenda më pak se 15 muajsh janë kthyer në buzëqeshje, shtrëngime duarsh e shkëmbime nderesh ceremonial, deri në një aktivitet kaq të rëndësishëm sa është festa e Pavarësisë së SHBA-ve.

Hamendjet janë të shumta. Kalimi dy herë i “Ylberit” nga Ilir Meta, një herë në vajtje dhe një herë në kthim, ka më shumë logjikë për rastin e parë, kur i prishi marrëdhëniet me SHBA-të dhe përfaqësuesit e saj në Shqipëri për ato arsye që dihen, se sa për të dytin, kur duket se i ka normalizuar ato për arsye që ende nuk dihen.

Dhe në këtë pikë, ai që mund të jetë më i shqetësuari ndoshta, është një prej dy të munguarve të mëdhenj të festës së djeshme (të premten). Jo Edi Rama, por Sali Berisha.

I izoluar diplomatikisht nga i gjithë Perëndimi, i kufizuar edhe brenda partisë së tij nga shumica dërrmuese e grupit parlamentar, me të vetmin aleat në institucione siç ishte Ilir Meta, Berisha mund ta shohë këtë rikthim të Ilir Metës në skenën e fjalimeve të festës amerikane, me dyshime të forta për tradhtinë e mikut të tij të vetëm politik, ndoshta duke menduar se pas Edi Ramës e Lulzim Bashës, edhe ky mund të jetë duke i mbushur dosjen në SHBA.

Vetëm koha do të tregojë se cila është e vërteta, kujt i shërbeu “pajtimi” i madh i Metës me SHBA-në, që nga Ilir Meta te Sali Berisha, e deri te vetë amerikanët dhe përse. Duke nisur nga 7 dhe 25 korriku e përtej. /Gazeta Si

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej