Mediat britanike i kanë bërë bujë vizitës së Ramës në Londër. Ai u takua me kryeministrin Rishi Sunak, takim që nuk dihet ende se çfarë ka prodhuar. Vetë Rama e nisi vizitën me sulme e një retorikë tepër agresive. Madje në takimin me Sunak foli dhe për “mollë të kalbura”.
Mediave britanike nuk u shpëtoi një gjë e tillë dhe ka pasur shumë lajme që rrëzojnë retorikën e Ramës. “Daily Mail” ka komentuar takimin Rama Sunak.
“Në një vizitë në Britani në bisedimet me kryeministrin Rishi Sunak në Doëning Street, zoti Rama tha se çështja e kalimeve me varka të vogla kishte çuar në një “pikë shumë të ulët” marrëdhëniet Mbretëri e Bashkuar – Shqipëri. Zonja Braverman shkaktoi një përplasje diplomatike me Tiranën në tetor kur foli në Dhomën e Deputetëve për “lejimin e të gjithë kriminelëve shqiptarë të vijnë në këtë vend. “Ka qenë një moment shumë, shumë i turpshëm për politikën britanike”, – tha lideri i vendit ballkanik. Ai shtoi se “shqiptarët nuk kanë të bëjnë vetëm me varkat” dhe paralajmëroi që të mos lejohen “disa mollë të kalbura” që të formojnë pikëpamjen e bashkatdhetarëve të tij. “Meqë Britania nuk lidhet vetëm me James Bond apo zotin Bean, ne nuk kemi të bëjmë vetëm me “Taken”, tha Rama, duke iu referuar filmit të Liam Neeson për trafikantët shqiptarë. “Dua Lipa nuk është thjesht një këngëtare britanike, por ajo është një emigrante shqiptare që ka ardhur këtu, pasi shumë kanë ardhur për të ndërtuar, për të punuar si infermierë, për të gatuar dhe për të kënduar për ju, dhe ne duam të sigurohemi që ky komunitet të ndihet jo vetëm i sigurt, por edhe i nderuar këtu”, citon Daily Mail.
Sipas të përditshmes britanike shifrat treguan se të paktën 13 mijë shqiptarë hynë në Britani me varka të vogla vitin e kaluar, që ishte pak më pak se një e treta e të gjithë mbërritjeve.
Më i ashpër ka qenë një artikull i GB News. Rrjeti televiziv intervistoi ekspertin Steven Woolfe, i cili tha se Rama nuk po e pranon se ky është një kriminalitet masiv. Woolfe është drejtor i Qendrës për Emigrimin dhe Prosperitetin Ekonomik.
“Duket se janë më shumë se vetëm disa ‘molla të prishura’, për shkak se ne e dimë nga shërbimet tona të sigurisë dhe policia, të cilët e pranojnë se një numër i madh i atyre që kanë kaluar kanalin, janë larguar nga qendrat e ndalimit apo nga hotelet dhe kanë hyrë në aktivitet kriminal. Ata kanë nënvizuar se, kur bëhet fjalë për kokainën, shqiptarët janë organizata më e madhe kriminale në këtë fushë. Se shqiptarët kanë marrë nga vietnamezët kontrollin e tregut të marijuanës. Sa i përket krimeve seksuale dhe prostitucionit, tani ata janë një nga organizatat kryesore. Dhe sa u përket vjedhjes së makinave luksoze nga ky vend, bandat shqiptare janë të vendosura edhe në këtë drejtim. Kështu që nuk mund të thuhet se janë vetëm disa ‘molla të prishura’, unë gjithmonë mendoj për këtë si 4 apo 5, por kur flasim për 12 mijë dhe mijëra të përfshirë në krime, atëherë mendoj se Edi Rama duhet të reflektojë se përse po largohen nga vendi i tij, përse nuk ka thënë ai se nga po arratisen ata”, tha ai.
Gjatë bashkëbisedimit të gazetarit me ekspertin deklarohet se Rama duket sikur është i lumtur me largimin e shqiptarëve. Madje eksperti Steven Woolfe bën krahasim me Kubën.
“Ne gjithmonë i kthehemi asaj çështjes në Kubë gjatë viteve ’80, kur Fidel Kastro liroi një numër të madh kriminelësh në SHBA dhe nxiti një kriminalitet masiv që është pasqyruar edhe në filma të mëdhenj që kemi parë në atë kohë. Nuk mendoj se ai është në atë nivel, por në fund të ditës, ai thjesht nuk po e njeh apo e pranon që ky është kriminalitet masiv dhe ndoshta sot, pas kësaj konference me Rishi Sunak, ai do të dalë dhe të thotë atë që ne duam që ata do e trajtojnë çështjen e emigrantëve të paligjshëm dhe elementëve kriminalë dhe të mbështesë politikat tona të deportimit të tyre. Ndoshta ai më pas i arreston dhe i fut në burg nëse janë të përfshirë në krim”, tha ai.
Rama sot u takua me Sunak dhe qëllimi ishte që të bihej dakord mbi riatdhesimin e emigrantëve.