Onkologjiku vret njerëz/ KLSH: 600 gra të rrezikuara dhe mbi 200 paciente të patrajtuar, pajisjet nuk funksionojnë

Sëmundjet tumorale janë një rritje tani në vendin tonë duke u bërë shkaku i dytë për vdekjet pas atyre kardiovaskulare.

Rritja e numrit të të prekurve kërkon edhe rritje të buxheteve të spitaleve si edhe përmirësim të pajisjeve teknologjike për trajtimin e tyre.

Në një auditim të bërë sëfundmi në QSUT, KLSH konstaton dy probleme kryesore sa i përket trajtimit të kancerit.

Problemi i parë lidhet me buxhetet që i ndahen Repartit të Onkologjisë, i cili rezulton të jetë minimal dhe i pandryshuar prej vitesh pavarësisht se numri i të trajtuarve aty rritet nga viti në vit. KLSH thekson në raport se mosndryshimi i buxhetit, i cili duhet të rrietet për Onkologjikun është një rrezik për të sëmurët kronikë që duhet të trajtohen.

Problemi i dytë që haset ka të bëjë me mosfunksionimin e pajisjeve që bëjnë trajtimin e të sëmurëve.

KLSH i referohet pajisjes që bën Bankiterapinë, e cila rezulton të ketë qenë e prishur gjatë periudhës së auditit duke bërë që gjatë asaj periudhe të mos merrnin shërbimin 200 pacientë në vit. Ndërkohë, rezulton se 600 gra nuk janë trajtuar për tumorin e tyre gjatë periudhës që kjo pajisje ka qenë e prishur.

“Mjekët onkologë të njësisë së radioterapisë, referojnë se jo të gjithë pacientet trajtohen edhe me Brakiterapi, por shumica e rasteve gati 200 pacienteve në vit duhet të trajtohen nëpërmjet kësaj pajisje me radioterapi. Trajtimi me Brakiterapi (Kyriterapi) nuk ka qenë funksional, për periudhën në auditim, për shkak të mungesës së burimit radioaktiv Iridium (192). Kjo pajisje nuk është bërë ende funksionale, për shërbimin dhe për trajtimin e pacientëve me Ca gjinekologjik me radioterapi. Mungesa e Brankiterapisë, për periudhën e auditimit, ka sjellë mos trajtimin e 200 pacienteve në vit ose 600 gra paciente nuk e kanë marrë këtë shërbim me radioterapi, duke përbërë faktor risku për shëndetin e tyre”, thekson KLSH në raport.

Sipas KLSH, pavarësisht përpjekjeve pozitive në drejtim të hartimit të Programit Kombëtar të Kancerit, në sigurimin e pajisjeve me teknologji të lartë, në sigurimin e medikamenteve të rimbursueshme, të përmirësimit të cilësisë së shërbimit shëndetësor, ende mbetet shumë për të bërë në këtë drejtim.

KLSH vërejti se:

“Ministria e Shëndetësisë nuk disponon raporte monitorimi dhe vlerësimi, mungojnë të dhënat në kohë reale të sëmundjeve tumorale si dhe mos miratimi i akteve administrative normative, reflektojnë në zgjidhje jo plotësisht racionale në përmirësimin e cilësisë së shërbimit shëndetësor, në rritjen e jetëgjatësisë dhe në uljen e mortalitetit të pacientëve me kancer”

‘Drejtoria e Përgjithshme e Qendrës Spitalore Universitare Tiranë “Nënë Tereza”, nuk ka mundur të sigurojë pajisjen mjekësore të Brankiterapisë, të disa elementëve (Tubusa, Pompa dhe Maska termo plastike), nuk ka mundur në kohë të realizojë rehabilitimin e ambienteve për përshtatjen e vendosjes së pajisjes së Ortovoltazhit si dhe mostrajtimi në kohë i pacientëve që kanë nevojë për to, tregon se shërbimi i Spitalit Onkologjik në trajtimin e sëmundjeve tumorale për periudhën në auditim nuk ka efektivitet të plotë, duke cënuar cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve’

‘Mungesa e infrastrukturës së nevojshme të godinës së spitalit, ndikon negativisht në cilësinë e shërbimit të pacientëve duke ulur besimin për një shërbim spitalor të denjë dhe të pastër duke treguar se shërbimi i Spitalit Onkologjik, nuk ka efektivitet të plotë, për trajtimin e sëmundjeve tumorale për periudhën në auditim’

‘Njësitë e kimioterapisë pranë spitaleve rajonale kanë qenë pjesërisht efektiv në trajtimin e sëmundjeve tumorale si pasojë e mos hartimit të detyrave funksionale për mjekët onkolog, funksionojnë me kapacitete minimale, nuk adresohen të gjitha skemat e trajtimit nga QSUNT në ketë spitale, nuk kanë kapacitete spitalore të plota me burime njerëzore mjekë onkologë, pajisje dhe materiale mjekësore, shtretër të dedikuar, nuk përgatisin një plan kujdesi për të sëmurët paliativ, mungojnë sistemet informatizuara të raportimit, si dhe përballen me riskun e mungesës së medikamenteve të trajtimit të sëmundjeve tumorale’

Mungesa e të dhënave të përditësuara, ndikon negativisht në planifikim të prioriteteve dhe monitorim të kontrollit të kancerit, si dhe nuk jep informacion të rëndësishëm për zhvillimin e politikave dhe masave parandaluese. Mos funksionimi i të gjithë këtij zinxhiri spitalor në raportim dhe në koordinim midis tyre tregon një performancë të dobët në statistikat zyrtare ndonëse politikat shëndetësore qeveritare reklamojnë menaxhim dhe monitorim në kohë të trajtimit të sëmurëve tumoralë deri në mortalitet’, thuhet në raport.

QSUT ka bërë një mori investimesh gjatë periudhave të fundit duke përmirësuar infrastrukturën e pavijoneve, por duket që sipas edhe raportit, duhet bërë edhe më tepër në drejtim të trajtimit të sëmundjeve tumorale, të cilat po prekin çdo ditë dhe më tepër shqiptarë.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lexo mË tej