Operacioni blic që rrezikon të shkatërrojë televizionin publik shqiptar

Largimi i papritur i Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së Enekelejd Joti, i cili u emërua zv.ministër i Mbrojtjes ka sjellë një lëvizje të çorientuar në këtë institucion.

Në mënyrë të papritur, ndryshe nga çfarë parashikon ligji e rregullorja, Këshilli Drejtues i RTSH-së ka nisur procedurat për të mbushur vendin e lënë bosh nga Joti, me një operacion që rrezikon ta kthejë median publike në një repart ushtarak të Partisë Socialiste.

I dizenjuar në këtë operacion nga një lob i vogël i mazhorancës e kryesisht nga kreu i këshillit drejtues i RTSH-së, Leka Bungo, është Alfred Peza, ushtarak me profesion e ish-deputet i Partisë Socialiste.

I larguar nga Edi Rama që në vitin 2016, kur i shpërtheu skandali që tregoi se Peza kishte blerë aksione të një banke private me vlerë 1 milionë dollarë, ish-deputeti tentoi të rikthehet në media, duke shërbyer si drejtor i një prej organeve mediatike të Irfan Hysenbelliut.

Por u largua prej tij, pikërisht kur IKMT-ja prishi hotelin e Fanes në Malin e Robit, fakt që tregon se ishte marrë nga ai pikërisht për ta ndaluar operacionin. Aty Peza, krijoi ilaritet pasi sulmoi qeverinë për interesa të Fanes, kur për vite e vite nëpër panele mbronte qeverinë si i dërguar i Fugës në emisionet e darkës.

Peza, ndërkaq ka ende të pambyllur dosjen e hetimit për pasurinë marramendëse të krijuar prej 1 milionë dollarëve, të cilët fillimisht ju sekuestruan nga Prokuroria e Përgjithshme.

Në kohën kur ndodhi sekuestroja nuk ishte krijuar SPAK, e më pas një gjykatë e hoqi sekuestron, por ende nuk ka pasur një vendim për çështjen e origjinës së pasurisë marramendëse. Me këtë cen të madh në biografinë e tij, Peza ka shumë gjasa të jetë një pre e lehtë për t’u sulmuar nga mediat dhe opozita, sidomos në stinën e nisur nga SPAK për të goditur zyrtarët e lartë.

Ndërkaq, në garë është edhe një njeri i afërt me Pezën, piktori Helidon Haliti, i cili ka nuk ka asnjë lidhje me mediat pasi s’ka punuar kurrë në një institucion mediatik, por ka lidhje të afërta me Alfred Pezën, i cili po e përdor si një kundrafigurë fiktive garuese siç është edhe e përhershmja Laureta Roshi që garon përherë, por që ska asnjë shans.

Këshilli Drejtues i RTSH-së, ka skualifikuar pa të drejtë një nga kandidatët më të mirë në garë, regjizorin e talentuar Viron Roboçi, i cili është një nga emrat më të njohur të industrisë audiovizive në Shqipëri. I nderuar me disa çmime ndërkombëtare si regjizor, Roboçi ka ngritur dhe ka punuar në thuajse të gjitha televizionet më të rëndësishme në Shqipëri si autor e regjizor i programeve kryesore të tyre.

Roboçi kishte një platformë për ta kthyer RTSH-në në një shtëpi mediatike publike, që të merrej kryesisht me imazhin e vendit, siç në fakt shërbejnë televizionet publike në shumë vende të botës. Por pa asnjë kriter dhe në mënyrë jo ligjore, Bungo e ka skartuar nga gara regjizorin Viron Roboçi, duke lënë në garë, Alfed Pezën, Helidon Halitin, Laureta Roshin e Enrik Mehmetin.

Kështu nesër nuk ka garë por një manovër skandaloze që anëtarët e Këshillit Drejtues të votojnë Alfred Pezën. I gjithë ky operacion është kryer në fshehtësi të plotë, pikërisht nga frika se do të shpërthente skandali i emërimit të një ish-deputeti të PS-së në televizionin që duhet të jetë totalisht i depolitizuar, si dhe problemet gjyqësore të Pezës me pasurinë e tij marramendëse të pajustifikuar.

Në koridoret e RTSH-së, Bungo ka tentuar të hapë lajmin se “urdhri vjen nga lart”, por siç mësohet Edi Rama nuk ka pranuar që të takojë as Alfred Pezën e as Helidon Halitin, megjithëse këta të dy kanë kërkuar audiencë.

Mësohet se Rama i ka thënë të vetëve që nuk donte t’i shikonte ata, e siç mësohet i ka kërkuar edhe drejtuesve të PS-së që të rrijnë larg lobimit për drejtorin e përgjithshëm të RTSH-së, i cili ka një histori dramatike, pasi ish-drejtori i Përgjithshëm Thoma Gëllci u arrestua dhe u dënua për abuzim me detyrën./Pamfleti

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lexo mË tej