Pas lajmit të përfshirjes së Monika Kryemadhit në financimet ruse, ish-deputeti Halit Valteri ka bërë sërish kallëzim në SPAK për deputeten e Partisë së Lirisë dhe Ilir Metën që i akuzon për fshehje të ardhurash, korrupsion dhe çelje të llogarive anonime. Teksa ishte i ftuara dje në një studio televizive, ai ka renditur 5 vepra penale për të cilat ka paditur ish Presidentin dhe bashkëshorten e tij për përfshirje në financimet ruse. Në kallëzim ka përfshirë prova si CD, artikuj, të dhëna bankare, linja fluturimi, adresat e kompanive. “Korrupsion i Pasiv i Zyrtareve të lartë ose të Zgjedhurve Vendore, Neni 260 i Kodit Penal; Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, Neni 287 i Kodit Penal; Fshehja e te ardhurave, Neni 180 Kodit Penal; Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, Neni 301 i Kodit Penal; Çelja e llogarive anonime, Neni 287 i Kodit Penal”, deklaroi ai. Pra, nëse shikojmë me kujdes akuzat, Meta dhe Kryemadhi rrezikojnë disa vite burg. Po ashtu, Valteri theksoi se kallëzimi vjen pas artikullit të “Eureporter” që tregon skandalin ku çifti është i përfshirë në lobime ruse dhe kompani të lidhura ngushtë me Kremlinin dhe kanë bërë transferta për kompani off-shore me emrat e tyre personal. Sipas Valterit, Meta dhe Kryemadhi posedojnë kompani ku kanë bërë lëvizje të ndryshme bankare dhe nuk i kanë deklaruar.
Kryemadhi anashkalon institucionet shqiptare
Por duke qenë se është një çështje e ndejshme, nga një verifikimi i gazetës “SOT”, rezulton se ish-kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi nuk rezulton të ketë deklaruar asnjë nga llogaritë bankare në Zvicër dhe vendet të tjera europiane përfshi edhe Qipron nga ku janë bërë pagesa apo ka marrë edhe para nga kompanitë off shore. Për më tepër në një nga faturat e transfertave bankare Kryemadhi rezulton se ka marrë para në formë dividenti nga ana e kompanive offshore me lidhje ruse. Ky fakt është një shkelje e ligjit për të cilin deputeti humb menjëherë mandatin sepse ka bërë deklarim të rremë, por edhe vendoset nën hetim.Nëse hetimi certifikon vërtetësinë e dokumenteve që implikojnë Kryemadhin, atëherë mbi deputeten e Partisë së Lirisë rëndojnë disa akuza, që nga ajo e deklarimit të rremë, pastrimi i parave, fshehje të pasurisë.Hapi i parë në këtë rast duhet të kryet nga SPAK, i cili minimalisht duhet të verifikojë duke parë deklarimin e pasurive të bëra nga Monika Kryemadhi.
Neni 260: Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë
Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.
Neni 287: Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale
Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, nëpërmjet:a) këmbimit ose transferimit të pasurisë, me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të saj, duke ditur se kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;b) fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë, burimit, vendndodhjes, disponimit, zhvendosjes, pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penal ose i veprimtarisë kriminale;c) fitimit të pronësisë, posedimit ose përdorimit të pasurisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;ç) kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave;d) investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave a sendeve, duke ditur se janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale;dh) këshillimit, ndihmës, nxitjes ose thirrjes publike për kryerjen e secilës prej veprave të përcaktuara më sipër;- dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. E njëjta vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet me burgim.