Greqia ende po përballet me situatën e vështirë që është krijuar nga stuhia “Daniel”. Qindra shtëpi të përmbytura, mijëra hektarë tokë bujqësore nën pushtetin e ujit, dhjetëra të zhdukur dhe 6 viktima janë regjistruar deri më tani.
Bilanci i viktimave pritet që të rritet, pasi në disa fshatra raportohet për dhjetëra njerëz të humbur në shtëpitë e mbuluar totalish nga uji i rrëmbyeshëm.
Në rajonin e Kardicës, në komunën e Palamasit, fshatrat janë zhdukur nga uji dhe dëshmi të shumta të banorëve flasin për persona të zhdukur, ndërkohë shumë banorë mbeten të bllokuar në vendbanimet e përmbytura.
Reshjet e dendura kanë shkaktuar probleme dhe në funksionimin e spitalit në Volos, për shkak të ndërprejse së energjisë elektrike dhe mungesës së ujit të pijshëm.
Një ndërprerje e furnizimit me ujë gjithashtu ka ndodhur dhe në qytetin e Trikalës, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike në objektin e ujësjellësit DEVAT.
Ndërkohë Bashkia e Trikalës ka paralajmëruar shpërndarjen falas të shisheve të ujit të piushëm dhe pakove të ndihmave.
Përveç banorëve të zonës, raportohet edhe për shumë turistë të bllokuiar në zonat e prekura nga stuhia. Sipas autoriteteve greke raportohet për 500 familje turistësh, të bllokuara.
Ndërkohë në Thesalisë, Drejtoria e Përgjithshme dhe Policia e Qarkut kanë njoftuar se për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike është pezulluar qarkullimi i automjeteve në disa akse rrugore.
Sipas klasifikimit të episodit të reshjeve (RPI), i cili aplikohet nga Meteo dhe Observatori Kombëtar i Athinës, episodi i reshjeve për sot ndodhet në Kategorinë 4 (shumë i rëndë). Megjithatë në mbrëmje priten reshje shiu dhe stuhi lokale në pjesën më të madhe të kontinentit, në Jon dhe në Egjeun verior, por ato gradualisht do të dobësohen.