Për çfarë i duhet Shkodrës një drejtoreshë si Besara Podgorica?

Kalaja e Rozafës ka pësuar një rritje me rreth 10 mijë vizitorë dhe pritet të rritet më tej në vijim. Ky ishte lajmi fantastik që dha dje drejtuesja e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Shkodër, Besara Podgorica.

Po cili është kontributi i kësaj të fundit? Çfarë pune bën konkretisht drejtoresha përveç se servir statistika?

Kalaja e Shkodrës një monument mijëvjeçar qëndron mbi një kodër shkëmbore 130 metra mbi nivelin e detit, e rrethuar nga lumi Buna e Drin, më tej vijon liqeni i Shkodrës, me pikën turistike të Shirokës, e cila ndodhet në këmbët e Malit të Taraboshit. Të gjitha këto perla të natyrës lidhen përmes urës së Bunës me qytetin.

Kjo e fundit gjendet në diten e saj më të zezë.

Pa kontroll, me dërrasa të shqyera dhe pa asnjë tabelë lajmëruese kjo urë është kthyer në një shqetësim serioz për shkodranët. Motora të shumtë kalojnë çdo sekond duke krijuar një ndotje akustike alarmante.

ShkodraNews përmes pajisjes SVAN 979 prodhuar nga firma prestigjioze SVANTEK, bëri një matje të zhurmës në kohën kur motorat përshkuan urën. Rezultati ishte shokues, 107 dB. Mjafton të konsultoheni me një mjek ose edhe më thjesht të kërkoni në Google dhe do të befasoheni se çfarë i bën veshëve tuaj kjo zhurmë.

ShkodraNews kërkoi informacion pranë drejtoreshës dhe përgjigja deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi ishte standartja e drejtorave: Po e shohim, është në proces.

Por ndërkohë që Besara Podgorica proceson, le të shohim sa e thjeshtë është një zgjidhje e përkohshme.

Për të bërë një rregullim provizor të situatës nevojiten 19 dërrasa të cilat kushtojnë 2 020 lekë copa, 38 380 lekë në total.

Gjithashtu nevojiten dy tabela të cilat ndalojnë kalimin e motorave dhe japin informacione të tjera teknike mbi gjëndjen e urës. Këto tabela kanë ekzistuar edhe para shume viteve e ngjan absurde si nuk vendosen sot.

ShkodraNews gjithashtu u interesua mbi çmimin e këtyre tabelave dhe na rezulton se 2 copë kushtojnë rreth 25 000 lekë të reja.

Derisa qytetarët të sensibilizohen mund të jetë nevoja edhe për bashkëpunimin me policinë bashkiake, e cila duhet të lërë përkohësisht marrjen e 5 mijë lekshave furgonave të palicensuar dhe të kontribuojë për qytetin.

Si përfundim duhen 63 380 leke, një telefonatë kryetarit të Bashkisë dhe vullnet. Nëqoftëse nuk arrin të zgjidhë kaq pak, për çfarë i duhet Shkodrës një drejtoreshë si Besara Podgorica?/ShkodraNews

 

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej