Policia në Shqipëri bën sehir/ Mbledh gëzhojat dhe identifikon viktimat, lë atentatorët mafioz të lirë

Në vetëm pak ditë, me një diferencë shumë të vogël, grupet kriminale bënë bujë në Shqipëri. Persona ende të paidentifikuar, që brenda 6 ditësh vranë 4 persona dhe plagosën një tjetër, enden të lirë nëpër Shqipëri dhe nuk janë kapur ende nga policia dhe nuk janë dënuar nga drejtësia shqiptare.

Bazuar në taktikën e ndjekur nga këta persona të cilët mbeten mister, por që po marrin jetë njerëzish me të shkuar kriminale, duket se ngjarjet janë të mirëfinancuara dhe synojnë ndryshimin e hartës së krimit krahas një hakmarrjeje të egër mes grupeve kriminale.

E ndonëse këto grupe kriminale po vrasin në mes të ditës e në mes të natës, policia bën sehir dhe e vetmja gjë që bën duke u bazuar në detyrën që ka, është të mbledhë gëzhojat nga vendi ku ndodh ngjarja dhe të identifikojë viktimat që shumica ikin nga jeta në lule të rinisë.

Atentatorët janë më të fortë se policia dhe drejtësia shqiptare, pasi në fund të çdo atentati, djegin makinat dhe zhduken sikur të mos ekzistojnë, teksa familjarët e viktimave qajnë me ditë, muaj, vite familjarët që mbetën të pajetë në këto atentate kriminale dhe të rrezikshme.

Në atentatin e 17 korrikut ku u vranë Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata, policia nuk ka arrestuar asnjë person deri më tani përveç dyshimeve dhe kontrolleve në shtëpitë e të dyshuarve të përhershëm, të cilët kësaj radhe sipas policisë kanë ikur jashtë Shqipërisë. Madje policia nuk mblodhi të gjithë gëzhojat.

Sa i përket ngjarjes së djeshme, autorët që zbrazën armën në drejtim të Ylli Brahimit i plagosur dhe Klisman Preçi, viktimë u futën në mes të qytetit, ndoqën objektivin, u pozicionuan pranë shtëpisë së tij dhe pritën deri në momentin që qëlluan mbi dy shënjestrat e ngjarjes.

Në këto momente, edhe autorët që vranë Vatën, Hoxhën, Martinajn edhe autorët që zbrazën plumbat tek Preçi dhe Brahimi, po shohin lajmet për ta, ndërsa policia bën deklarata për luftën pakompromis kundër krimit, ndonëse kriminelët që po dëmtojnë imazhin e Shqipërisë ecin të lirë dhe pa marrë dënimin e merituar për jetët që kanë marrë.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej