Dy muaj përpara se ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj të firmoste kontratën koncesionare 100 milion euro për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale, rezulton se kryeministri i vendit Edi Rama, është vënë në dijeni për mënyrën e përllogaritjes së gabuar të pikëve dhe shpërdorimin e fondeve të taksapaguesve Shqiptarë.
Dijenia e kryeministrit Rama, për abuzimin me paratë publike në këtë koncesion evidentohet në faqen 88 të vendimit të gjykatës së posaçme, ku thuhet se:
“…në 2 Tetor 2015 operatori ekonomik “Action Laundry”, ka njoftuar përmes një shkrese kryeministrin e vendit, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Ministrinë e Shëndetësisë dhe APP-në, mbi shpërdorimin e fondeve të taksapaguesve në konçesionin e ofrimit të setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale të zhvilluar në datën 4 Maj 2015 nga ministria e Shëndetësisë…”.
Kjo është shkresa origjinale që i ka shkuar në zyrë kryeministrit Edi Rama, dokument i siguruar nga “Ora News”, përmes së cilës Rama është vënë në dijeni për shkeljet, dy muaj përpara se Ilir Beqja dhe Admir Daca i “Sani Service” të firmosnin së bashku kontratën koncesionare.
“Sterilizimi”, lekët u vodhën dhe tek synetlliku. Për një ndërhyrje priten tre fatura.(SKEMA)
Ankesa e kompanisë “Action Laundry” tek kryeministri, nuk ka marrë asnjë përgjigje. Ndërsa KLSH-ja e asaj periudhe, ka njoftuar Ministrinë e Shëndetësisë që të analizoheshin pretendimet e kompanisë dhe KLSH, më pas të njoftohej sërish me shkrim nga ana e ministrisë.
Në dokument pasqyrohet se shoqëria “Action Laundry” ka ofruar shërbimin për 1 vit në vlerën 753.500.000 lekë është renditur në vend të dytë. Ndërkohë që shoqëria tjetër ” Servizi Italia” SPA ka ofruar për 1 vit në vlerën 1.003.780.000 lekë, është klasifikuar në vend të parë.
“…diferenca për 1 vit është në vlerën 2 miliard 502 milion lekë, ose për 10 vjet në vlerën prej 2.502.800.000 lekë, që do të rëndojë mbi taksapaguesit shqiptarë. Ndërkohë që shërbimi i ofruar nga ne është në nivele me të mira se shoqëria e përzgjedhur si fituese nga Ministria e Shëndetësisë…”-thuhet në dokument.
Brenda kësaj të dërguar kryeministrit, ngrihen dhe problematika të tjera si formula e përllogaritjes së pikëzimit në shpalljen e fituesit dhe standardeve të shërbimit të koncesionit.
Asnjëra nga shumë problematikat nuk u mor në konsideratë nga kryeministri dhe Ilir Beqaj, i cili në 10 dhjetor 2015 firmosi kontratën, duke i hapur rrugën abuzimeve financiare me setet kirurgjikale nga kompania “Sani Service” që kontrollohet me 40 për qind të aksioneve nga Ilir Rrapaj, shoku i ngushtë i Ilir Beqaj dhe zv/ministrit të shëndetësisë, Klodian Rjepaj./Ora News