Precedenti i krijuar në vitin 2012 me Artan Hoxhën, i cili u propozua si kandidat për President dhe Garda e Republikës e mori në mbrojtje menjëherë, nuk ka ndodhur me Bajram Begajn.
Shefi i Shtabit s’ke ende një mbrotje të veçantë pasi pritet së pari votimi i tij në Kuvend. Një vit më parë me ndryshimin që iu bë ligjit për Gardën e Republikës, sanksionohet që s’ka mbrojtje për kandidatët, por vetëm për atë që zgjidhet realisht President Republike. Sot Garda e Republikës pret kreun e ri të shtetit jashtë Kuvendit menjëherë sapo ai të zgjidhet me votat e deputetëve.
Ndryshimi ligjor është bërë pikërisht për të shmangur precedentin Artan Hoxha, i cili u mor në mbrojtje dhe shoqërim nga Garda për disa orë, por më pas rezultoi se nuk ishte i përshtatshëm për detyrën e kreut të shtetit. Lapsi.al mësoi edhe një incident mes Gardës së Republikës dhe Presidencës.
Kjo e fundit nuk kishte pranuar të vinte në dispozicon një makinë për Bajram Begajn, me të cilën ai do të lëvizte pas votimit nga Kuvendi. Ligjërisht i takon Presidencës si institucioni pritës, por deri më tani s’ka pasur vullnet për këtë bashkëpunim duke e lënë këtë element tërësisht në dorë të Gardës së Republikës. Mbetet për t’u parë nëse kjo do të ndryshojë në ditët e ardhshme pasi deri në momentin e betimit janë më shumë se një muaj e gjysmë.