Viti 2023 duket se do të jetë një vit sfidues për Prokurorinë e Posaçme dhe kreun e ri të saj Altin Dumani.
Ky i fundit shihet si prokurori që do godasë bosët e politikës dhe nëse nuk e bën këtë vit, me shumë mundësi do ventitet tërësisht besimi te Prokuroria e Posaçme. Ky organ e nisi punën në fillim të vitit 2020 dhe të vetmit zyrtarë pas hekurave janë Alqi Bllako e Lefter Koka, askush tjetër.
Por nëse prokurorët duan që të shkruajnë historinë, i kanë në dorë të gjitha provat e nevojshme. Sipas informacioneve, Prokuroria e Posaçme vetëm gjatë vitit që lamë pas, ka regjistruar mbi 120 procedime penale, nga të cilat rreth 70 kanë të bëjnë me veprat penale të korrupsionit.
SPAK çdo muaj publikon statistikat mujore dhe nga një përmbledhje që ju ka bërë “Pamfleti” të gjithë të dhënave, rezulton se janë më shumë se 120 procedime të regjistruara gjatë 2022-shit, ndërkohë që një pjesë e madhe dosjesh kanë disa vite që hetohen nga SPAK. Nëse shohim raportin e vitit 2021, rezulton se janë duke u hetuar rreth 700 dosje në total në 3 vite, përfshirë krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Shumica e dosjeve kanë të bëjnë me hetime korrupsioni në administratë, por ka dhe disa që kanë të bëjnë me “hienat” e korrupsionit.
Ndaj Ilir Metës janë hapur disa procedime penale, ku mund të përmendim aferën CEZ-DIA, lobimet në SHBA, ndërhyrjet estetike, për fshehje pasurie, korrupsion, etj.
Po ashtu, po hetohet Sali Berisha për kompleksin “Partizani”, për Gërdecin apo aferën e CEZ.
Gjithashtu janë duke u hetuar dhe ish-ministra, ku mund të përmendim Ilir Beqajn, për koncesionet në shëndetësi. Mbetet të shihet nëse Altin Dumani do shkojë te të paprekshmit apo do kemi sërish vetëm fjalë e pritshmëri, por jo vepra.