Ditën e nesërme, më 4 shtator do të mbahet dhe Asambleja e dytë e Partisë Socialiste për vitin 2023, pas asaj të 26 Korrikut.
Kjo lëvizje nga Rama vjen pak javë pasi u shkarkua i gjithë Sekretariati Ekzekutiv i Partisë Socialiste dhe provizorisht u komandua si Sekretar i Përgjithshëm Blendi Klosi.
Çfarë pritet nga Asambleja e PS ditën e nesërme?
Partia Socialiste do të bëjë ndryshime për herë të dytë këtë vit sa i përket organizimit të brendshëm në asamblenë që do të mbahet të hënën.
Kryesocialisti Edi Rama pritet të emërojë sekretariatin e ri, i cili ka mbetur vakant. Në Asamblenë e 26 korrikut, Damian Gjiknuri u shkarkua nga posti i sekretarit të përgjithshëm të PS-së dhe përkohësisht në vend të tij si numri 2 i PS u komandua Blendi Klosi.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm në asamblenë e 26 korrikut ishte dhe rrokada Bledi Çuçi- Taulant Balla të cilët ndërruan postet me njëri-tjetrin.
Bledi Çuçi i cili u shkarkua nga detyra e ministrit të Brendshëm u caktua kreu i ri i grupit parlamentar të PS-së, në vend të Taulant Ballës. Ky i fundit u emërua në postin e ministrit të Brendshëm të lënë bosh nga Bledi Çuçi.
Por ndryshime nuk priten vetëm në organizimin e selisë rozë. Shkarkime dhe emërime të reja mund të pritet dhe sa i përket kabinetit qeveritar, mundësi kjo e lënë e hapur nga vetë Edi Rama.
Në konferencën e pak ditëve më parë Rama la të hapur mundësinë e riformatimit të qeverisë, e megjithatë duhet të presim Asamblenë e PS-së.
“Prisni edhe pak ditë, mbledhja e Asamblesë së PS vjen shpejt” deklaroi Rama më 25 gusht 2023.
Në Dhjetor 2018 nga Asambleja Socialiste, Edi Rama ndryshoi gati gjysmën e ministrave, me qëllimin siç u deklarua ai të kohë “për dhënien e impulseve të reja qeverisjes”.
Sinjalet e para për ndryshime të forta në radhës e partisë në pushtet që drejton, Edi Rama i dha në asamblenë e fundit të 26 Korrikut.
Për herë të parë në historinë e kësaj force politike en-block shkarkoi të gjithë sekretariatin e partisë, paçka se në zgjedhjet e fundit lokale socialistët korrën një fitore spektakolare.