Pse Edi Rama kërkon anonimë për kryebashkiakë

Edi Rama e di më mirë se të gjithë se të drejtosh një bashki, ke mundësinë që të kthehesh në një figurë politike të fortë. E ka vërtetuar në lëkurën e tij, por edhe tek kryebashkiakët socialistë që e ndihmuan të korrë fitoren e parë si kryetar i PS-së në qytetet kryesore të vendit.

Por Rama, e pa që kryebashkiakët mund të kthehen edhe në një këcënim real të fuqisë së tij politike, ndaj sapo ka hyrë në zyrën e kryeministrit, nisi të sulmojë një e nga një të gjithë kryetarët e bashkive të forta të Partisë Socialiste.

Edi Rama, si makiavelist, nuk ka zgjedhur që t’i sulmojë të gjithë njëherësh por ka përdorur aksiomën e lashtë “përça e sundo”.

Si fillim, sapo hyri në zyrën e kryeministrit, me anë të një intrige pallati duke përdorur Ilir Metën e prokurorë pranë tij, sulmoi Shpëtim Gjikën, kryebashkiakun e Vlorës, i cili kishte dhënë prova që nuk merrte urdhra nga Edi Rama. Tashmë dihet odiseja gjyqësore ndaj Shpëtim Gjikës që e largoi përfundimisht ish-kreun e bashkisë nga politika. Rama nuk përdori me të gjithë ‘kërbaçin’ si ndaj Shpëtimit, por sipas rastit, madje më shumë ka përdorur ‘kulaçin’. Siç ka ndodhur ndaj Fadil Nasufit të Beratit që e bëri deputet,  Baftjar Zeqos së Fierit që e bëri gjithashtu deputet, Lalën e Elbasanit (Qazim Sejdinin) s’e bënte dot deputet se mund të shkonte në burg, por njeriun e tij e bëri ministre. Më pas ndodhi edhe fabula me Gjyshin e Durrësit, të cilin ashtu s’i Lala i Elbasanit, Babloku nuk e shmangte aq kollaj, edhe pse u shpall ‘Non Grata’ nga SHBA, por vuri në krye të bashkisë një person të propozuar nga ish-kryebashkiaku.

Tentativat nga jashtë këtij mjedisi kishin dështuar të gjitha, deri sa arriti në një luftë civile brenda PS-së së Durrësit me klanin e Spartak Brahos.

Parë nga larg, duket si një manovër e shtrënguar e kryeministrit, i cili ka vepruar kështu sepse ka qenë i detyruar, por nëse e shikon me detaje, është i gjithi një plan i tij.

Në të gjitha aspektet, plan, i cili hasi pengesën më të fortë me rastin e Dritan Lelit. Ku kryebashkiaku i Vlorës nuk pranoi që të largohet pas kërkesës së Ramës që të bëhet deputet i qarkut, duke i shkaktuar realisht telashe të mëdha kryeministrit, i cili, nga revolta e Lelit e ka lënë Vlorën në një përplasje të fortë brenda socialistëve, pa vënë dorën se cili do ta drejtojë bashkinë, apo kush do të jetë kandidat. Prej kohësh situate është pezull, gjë që ka shkaktuar një konflikt e tension mes dy grupeve, i pari që përfaqësohet nga ish-deputetja Vilma Bello, e tjetri nga deputeti Ilir Metaj. Të dy pretendojnë se kanë bekimin e kryetarit të PS-së, por asnjëri nuk është i sigurtë.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Sarandë, ku mjekut Adrian Guma, i cili ka vetëm një mandat i ka dubluar Arben Çipën, duke sjellë një pështjellim të madh mes disa klaneve të fuqishme të grupeve të interesit.

Në Fier, thuajse është e vendosur se nuk do ta kandidojë më Armando Subashin, edhe pse i ka dhënë shpresë. Rasti i vetëm i një konfirmimi të gjatë mund të jetë ai i Raqkës së Korçës, i cili me një “zgjuarsi” cinike ka mbajtur një profil të ulët, duke mos u ngritur asnjë centimetër më shumë se punët komunale të bashkisë, pa tentuar t’i hyjë terrenit, duke i lënë hapësirë “feudalit” politik të Korçës Niko Peleshi. Duke e përballur kështu Nikon me Ramën e duke mbajtur një distancë për vete. E gjithë kjo situatë i intereson shumë Edi Ramës, por që dobëson ditë pas dite Erion Veliajn, i cili prej kohësh ka hapur fjalë se mund të jetë pasardhësi.

Pa shokë të tjerë, Veliaj mbetet një lojtar jo shumë i fortë, pasi nuk ka një grup interesi për të krijuar një “klub” e kështu mbetet i brishtë si Dritan Leli, madje edhe më i dobët se ai.

Sipas gjasave, Lali nuk do të bëjë listat e veta në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Tiranë, sido që të jetë rezultati i 14 majit. Të cilin ai po mundohet që ta ketë një triumf, por që gjasat janë të pakta për një “përmbytje elektorale”. I gjithë ky plan është që Edi Rama nuk do asnjë njeri që t’i bëjë hije në PS, ndaj edhe ndryshon krerët e qarqeve si “mbreti gratë”, duke mos forcuar asnjë figurë politike në terren. Deputetët e drejtuesit e PS-së i lëviz si ‘gurë dame’ poshtë e përjetë, për të mos i ngulur askund, që të mbajë vetë me klanet vertikale pushtetin në territor. E ky është një rrezik i madh, pasi nuk kemi një PS, por një parti të Edi Ramës, që në momentin e një drame politike do të përmbyset, madje mund të shkrihet fare bashkë me të. Edhe më keq se PD-ja aktualisht…/Pamfleti 

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej