Pushtimi i Ukrainës ka thyer tabunë bërthamore

Rreziku bërthamor. Kjo luftë nuk ka gjasa të bëhet bërthamore. Por po rrit rrezikun që të ndodhin luftëra bërthamore në të ardhmen, shkruan The Economist

Në vitin 1999, Nina Tannenwald, një shkencëtare politike në Universitetin Brown, hartoi një studim, duke analizuar diçka që ajo kishte vërejtur mes gjeneralëve, politikanëve dhe strategëve: “tabunë bërthamore”.
Sipas saj, kjo tabu nuk ishte thjesht një shqetësim i përgjithshëm apo shqetësim moral personal.

Ajo kishte efekte të rëndësishme. Mungesa e luftërave bërthamore që nga shkatërrimi i Hiroshimës dhe Nagasakit, nuk ka qenë thjesht një çështje parandaluese. Një rol të rëndësishëm ka pasur edhe ndjesia se përdorimi i armëve bërthamore është i gabuar.

Kërcënimet e sulmeve bërthamore, si ato të viteve 1940 dhe 1950, ishin bërë jashtëzakonisht të rralla. Me forcimin e tabusë, dëshira për të prodhuar armë bërthamore shihej si shenjë e mungesës së qytetërimit dhe shmangia e përmendjes së armëve, ishte shenjë morali.

Por në këtë qëndrim kishte njëfarë hipokrizie, që aforisti francez La Rochefoucauld e ka quajtur: haraçi që vesi i paguan virtytit.

Për të parë diskutimin mbi armët bërthamore në formën e tij më të shëmtuar, mjafton të ndiqni kanalin televiziv shtetëror Russia-1.

“Vetëm një goditje e vetme, Boris”, paralajmëroi më 1 maj Dmitry Kiselev, prezantuesi kryesor i lajmeve në kanalin rus, “dhe Anglia do të shuhet sa hap e mbyll sytë”. Në rast se kryeministri britanik apo publiku kishin ndonjë dyshim mbi mesazhin e këtyre fjalëve, zoti Kiselev parashtroi edhe mundësitë e një sulmi të tillë bërthamor.

Njëra ishte një raketë balistike ndërkontinentale Sarmat (ICBM), që shfaqej në ekran, duke fluturuar drejt Britanisë. Një tjetër ishte një predhë termobërthamore Poseidon, e projektuar për të krijuar një cunami. “Nëse kalon mbi Ishujt Britanikë, kjo gjë do të kthente gjithçka në një shkretëtirë radioaktive”, tha zoti Kiselev.

Kjo nuk ka qenë hera e vetme që rusët kanë bërë kërcënime të tilla. “Rusët po e shfrytëzojnë mirë efektin e frikësimit”, thotë doktor Tannenwald. “Vazhdimisht, zyrtarët rusë po bëjnë kërcënime të qarta bërthamore”. Dhe kërcënime të tilla shkojnë përtej transmetimeve televizive.

Boris Bondarev, një diplomat në misionin rus në OKB në Gjenevë, dha dorëheqjen më 23 maj, në shenjë proteste ndaj pushtimit të Ukrainës. Ai tha për New York Times se ajo që e kishte shqetësuar më shumë, ishte mënyra e shëmtuar sesi kolegët e tij argëtoheshin duke folur për luftën bërthamore.

“Ata mendojnë se nëse goditet ndonjë fshat në Amerikë, me një sulm bërthamor, atëherë amerikanët do të tremben menjëherë dhe do të kërkojnë mëshirë në gjunjë”, tha zoti Bondarev. “Kështu mendojnë shumë nga njerëzit tanë dhe kam frikë se ky do të bëhet mendimi i përgjithshëm në Moskë”.

Normat, traktatet, garancitë e ndërsjella, zbutja, bindja, mekanizmat teknikë, frika dhe tabuja, të cilat bashkërisht kanë bërë që bota të mos përjetojë tmerrin e armëve bërthamore që nga viti 1945, po e humbisnin efektin edhe para se Vladimir Putin, të paralajmëronte më 24 shkurt, për “pasoja… që nuk i keni parë kurrë në historinë e njerëzimit”.

Kontrolli

Për sa i përket kontrollit të armëve, paktet midis Amerikës dhe Rusisë kishin skaduar pothuajse të gjitha. Rusia po prodhonte armë të reja, si Poseidon, të cilat nuk mbuloheshin më nga marrëveshjet që kishin mbetur. Arsenali bërthamor i Kinës po zgjerohej me shpejtësi.

Për sa i përket ndalimit të përhapjes së armëve, presioni ndërkombëtar prej dekadash nuk kishte arritur ta pengonte Korenë e Veriut që të prodhonte armë bërthamore dhe më pas të rriste sofistikimin e tyre, dhe gamën e shënjestrave kundër të cilave mund të përdoreshin.

JCPOA, marrëveshja e vetme për mospërhapjen e armëve bërthamore, e lidhur dekadën e kaluar, sipas së cilës, Irani duhej të kufizonte programin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve, po varej në një fije peri. Tani Republika Islamike është bindur edhe më tepër për prodhimin e armëve.

Mungesa e përparimit të zotimeve për çarmatim nga Amerika, Britania e Madhe, Kina, Franca dhe Rusia, shtetet e armatosura me armë bërthamore që janë palë pjesëmarrëse në Traktatin e Mospërhapjes së Armëve Bërthamore (NPT), po vazhdon të gërryejë legjitimitetin e traktatit.

Pushtimi i Ukrainës ka çarë vrima të tjera në këtë pëlhurë tashmë të rreckosur. Teksa Rusia po kryen luftë dhe anëtarët e NATO-s po i ofrojnë Ukrainës armë gjithnjë e më të forta për t’u mbrojtur, ekziston një rrezik i vogël, por i njëmendtë, që të dyja palët të përfshihen në një luftë që përshkallëzohet përtej pragut bërthamor.

Ekziston gjithashtu frika se nëse gjërat shkojnë shumë keq për Putinin, ai mund të përdorë një armë bërthamore për të tronditur Ukrainën, në mënyrë që të parandalojë asgjësimin e forcave të armatosura ruse apo humbjen e Krimesë.

Ndjenja personale mjaft të forta

Ashpërsia e këtyre rreziqeve dhe mënyra e trajtimit të tyre është debatuar pa pushim. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar që “të mos poshtërohet Rusia”. Zyrtarët polakë dhe të tjerë në Europën Lindore, së bashku me ata britanikë, kanë pretenduar se rreziqet e përshkallëzimit janë përkeqësuar më tepër nga Gjermania, Italia dhe Franca.

Por ndikimi i luftës nuk ka të bëjë vetëm me pyetjen nëse armët bërthamore do të përdoren në këtë konflikt. Bëhet fjalë edhe për efektin që do të ketë prania e tyre në shtetet e tjera që marrin vendime në të ardhmen. Mënyra se si mendohet dhe diskutohet për armët bërthamore, po ndryshon. Ajo që po bën Rusia, thotë doktor Tannenwald, “është shumë e dëmshme për tabunë bërthamore”.

Ky dëm është pasojë e neglizhencës së mëparshme. Pasi Koreja e Veriut testoi një armë ICBM që mund të arrinte Amerikën në vitin 2017, Donald Trump, presidenti i cili nuk donte t’ia dinte për tabutë, e kërcënoi Korenë e Veriut me “zjarr dhe tërbim që bota nuk e ka parë asnjëherë”.

Në vitin 2018, udhëheqësi korean, Kim Jong Un, paralajmëroi se butoni bërthamor ishte “gjithmonë në tryezën e tij”, një koment që më pas e shtyu zotin Trump të përgjigjej se butoni i tij bërthamor ishte “shumë më i madh”. Në një tubim elektoral në vitin 2019, kryeministri i Indisë, Narendra Modi, u tall me pretendimin e Pakistanit se kishte armë bërthamore që mund ta frenonin Indinë. “Çfarë kujtoni ju se kemi ne atëherë?”

Biseda të tilla të pamatura mund ta kenë origjinën nga rrymat politike të dekadës së kaluar, thonë Oliver Meier dhe Maren Vieluf nga Universiteti i Hamburgut.

Ata argumentojnë se udhëheqësit nacionalistë-populistë, një kategori ku përfshihen zotërinjtë Putin, Trump dhe Modi, kanë më shumë gjasa të flasin në mënyrë të papërgjegjshme për armët bërthamore.

Maçizmi mund të jetë një shkak, po ashtu edhe flirtimi me të pathënën dhe përbuzja e përgjithshme për opinionin ndërkombëtar. Në mesin e elitave politike, zakonisht tabuja bërthamore trajtohet më seriozisht.

“Ky lloj diskutimi i hapur, redukton cilësinë e tabusë së armëve bërthamore për shumë njerëz”, thotë Scott Sagan, shkencëtar politik në Universitetin Stanford. “Tashmë ka diskutime të hapura rreth epërsisë bërthamore dhe aftësisë për të fituar një luftë bërthamore në Wall Street Journal.

Kur njerëzit shkruajnë për këtë temë në gazetat kryesore, ajo ka një ndikim në perceptimin e publikut”. Kur anëtarët e administratës së Ronald Reganit hodhën ide mbi luftërat bërthamore që mund të fitoheshin në fillim të viteve 1980, kjo shkaktoi zemërim të gjerë. Tani, jo më.

Një arsye mund të jetë thjesht koha dhe harresa. Me përjashtim të mbretëreshës Elizabeth II, nuk ka njeri pranë korridoreve të pushtetit që ende kujton lajmet nga Hiroshima dhe Nagasaki. Pothuajse të gjithë personat që kanë qenë fëmijë në kohën e krizës së raketave kubaneze, tani janë në fund të të 60-ave.

Lufta e Ftohtë, e cila rriti tabunë bërthamore, pasi Reagan dhe Mikhail Gorbachev u pajtuan se “një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të kryhet kurrë”, tashmë ka ndikim të papërfillshëm në opinionin publik.

Ekziston edhe fakti se thyerja e tabusë për përdorimin e armëve kimike – një tabu e cila, ndryshe nga ajo bërthamore, është e kodifikuar në të drejtën ndërkombëtare – ka rezultuar se ka kosto më të ulëta se sa pritej. Bashar al-Assad i përdori ato në luftën civile siriane, por vazhdon të mbetet në pushtet.

Është gjithashtu e mundur që popujt në përgjithësi, nuk kanë qenë ndonjëherë aq të skandalizuar nga tema e armëve bërthamore, sa udhëheqësit e tyre.

Presidenti George H.W. Bush privatisht e përjashtoi çdo mundësi të përdorimit të armëve bërthamore në luftën e Gjirit Persik, megjithëse lejoi disa hamendësime mbi këtë temë në deklaratat publike. Por sondazhet zbuluan se 28% e publikut amerikan e pranonte përdorimin e armëve bërthamore taktike ose me rendiment të ulët, kundër Irakut. Nëse kushti ishte shpëtimi i jetës së ushtarëve amerikanë, kjo shifër rritej në 45%.

Tabuja e skenarit bërthamor

Edhe sot mund të ketë ndjenja të ngjashme. Në vitin 2017, doktor Sagan dhe Benjamin Valentino nga Kolegji Dartmouth, zhvilluan një eksperiment, ku subjekteve iu tha se Irani kishte shkatërruar një aeroplanmbajtëse amerikane, se në përgjigje të kësaj, Amerika kishte pushtuar Iranin për të rrëzuar qeverinë e tij dhe se pushtimi nuk po përparonte.

Pyetja ishte: a duhet të përdorë Amerika armë bërthamore në qytetin Mashhad “për të tronditur” qeverinë iraniane që të dorëzohet?

Një shumicë e qartë tha po: vrasja e deri në 2 milionë civilëve iranianë, ishte një çmim i pranueshëm për të shmangur 20,000 vdekje amerikane që do të rezultonin nga zgjatja e pushtimit. Ia vlen të theksohet se ky është mjaft i ngjashëm me skenarin, sipas të cilit Putini përdor një armë bërthamore për të shtënë në dorë Ukrainën, nëse ajo arrin një avantazh vendimtar.

Një studim i botuar këtë shkurt në Universitetin Oxford, tregoi se ky mendim nuk kufizohej vetëm brenda Amerikës. Shumica ose pothuajse shumica, në Britani, Francë dhe Izrael, mbështesnin përdorimin e armëve bërthamore në konfliktet me kombet jobërthamore, nëse ato ishin më efektive se metodat konvencionale. Njerëzit nuk do të mendonin kështu për diçka që do të ishte vërtet tabu.

“Njerëzit nuk merren me kanibalizëm kur janë paksa të uritur; përkundrazi, durojnë derisa të jenë në prag të urisë”, kanë shkruar doktor Sagan dhe doktor Valentino. “Ndërsa me armët bërthamore, preferenca e publikut amerikan për mundësitë bërthamore, duket se po rritet në mënyrë të qëndrueshme”.

Interesi për armët bërthamore taktike është ringjallur në vitet e fundit. Rusia mendohet se ka rreth 2000 syresh. Bombat e hedhura nga ajri kanë një rendiment shumë më të ulët. Në vitin 2020, Amerika vendosi në gatishmëri një W76-2, një armë me rendiment të ulët të pajisur me raketa balistike të lëshuara nga nëndetëset.

Arsyetimi i Amerikës ishte se arma mundësonte aftësinë për t’u përgjigjur “në çast” në rast se Rusia përdorte një armë taktike. Kjo tregon se ka raste kur armët bërthamore mund të duhet të përdoren thjesht sepse janë bërthamore, çka tregon se ato nuk janë tabu.

Gati për sulm

Nuk është vetëm prania e tyre arsyeja pse lufta po ndryshon mendimin e njerëzve për armët bërthamore. Edhe mungesa e tyre ka rëndësi. Kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë në vitin 1991, një e treta e arsenalit të tij strategjik bërthamor dhe pjesa më e madhe e kompleksit industrial bërthamor, mbetën në territorin ukrainas.

Politikanët e Ukrainës nuk i kontrollonin sistemet e komandës me të cilat mund të përdoreshin armët. Vendi i tyre nuk mund të kishte mbajtur një arsenal të qëndrueshëm pa investime të konsiderueshme, thotë Mariana Budjeryn nga Universiteti i Harvardit.

Por duke mos pasur armiq që e kërcënonin me armë bërthamore, Ukraina hoqi dorë nga arsenali, duke marrë në këmbim garanci nga Amerika, Britania dhe Rusia se do të ishte e sigurt brenda kufijve të saj.

Lufta ka nxitur shumë debate se si mund të kishin shkuar gjërat nëse Ukraina do të kishte bërë një zgjedhje tjetër. Ekonomia e Ukrainës në vitet 1990 ishte në një gjendje të dobët, thotë doktor Budjeryn, dhe kishte nevojë për ndihmë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore – ndihmë e cila mund të mos kishte ardhur nëse vendi do të kishte vendosur të investonte në prodhimin e materialit bërthamor për një arsenal sovran bërthamor. Rusia dhe NATO do të ishin zemëruar.

Për më tepër, armët bërthamore nuk e bëjnë territorin e një vendi të paprekshëm. Egjipti dhe Siria e sulmuan Izraelin në vitin 1973, Argjentina pushtoi Ishujt Falkland në vitin 1982, Pakistani ndërmori një sulm në rajonin Kargil të Kashmirit, të kontrolluar nga Indianët në vitin 1999. Një arsenal bërthamor nuk do ta kishte penguar Rusinë, madje, një konflikt i armatosur mund të kishte ndodhur edhe më herët.

Por, disa vende të frikësuara nga fqinjët e tyre, marrin parasysh ngjarjet e kaluara, si vdekjen e Sadam Huseinit dhe Muammar Gadafit, të cilët i braktisën programet e armëve bërthamore dhe e krahasojnë këtë me mungesën e ndëshkimit për Kim Jong Un.

Njerëzit në Korenë e Jugut ose në Japoni, të cilët duan që vendi i tyre të mbajë ose të ndërtojë armë bërthamore, do të nxiten edhe më tepër nga lufta e Rusisë.

Nuk ishte rastësi që vetëm disa ditë pas pushtimit të Rusisë në shkurt, ish-kryeministri i Japonisë, Abe Shinzo, i nxiti bashkatdhetarët që të imitonin skemën e aleatëve europianë, të cilët mbajnë në territorin e tyre armë bërthamore amerikane.

Ndërkohë, vendet që zotërojnë armë bërthamore, po nxjerrin një mësim për sa i përket hapësirës për manovrim që lejojnë armët e tyre bërthamore. Ajo çka është e dallueshme në këtë luftë, nuk është se agresori ka armë bërthamore, apo se përdorimi i tyre është nën kërcënim. Por është mënyra e qartë, sipas së cilës po përdoren këto kërcënime, për të mbajtur jashtë palët e treta. Kjo qasje mund ta nxisë Kinën që të ndjekë të njëjtën rrugë me Tajvanin.

Rënia e vrullit

Shpresa se kontrolli i armëve mund të ndihmojë në njëfarë mënyre, duket e pavlefshme. Në parim, çarmatimi sipas Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, mund të përforcojë mospërhapjen e këtyre armëve. Por kjo nuk do të ndodhë në të vërtetë.

Amerika nuk është e gatshme të kufizojë mbrojtjen e saj raketore, gjë që ia kërkojnë Rusia dhe Kina. Nuk ka regjime verifikimi për armët e reja, si p.sh. avionët hipersonikë dhe dronët nënujorë. Kina duket se synon të ngushtojë hendekun e kokave luftarake me Amerikën.

Dhe Rusia është tani më e përkushtuar se kurrë ndaj armëve bërthamore. Dëmi që i ka shkaktuar lufta gjendjes materiale dhe reputacionit të Forcave të Armatosura ruse “na rikthen në fund të viteve 1990”, thotë Kristin Ven Bruusgaard nga Universiteti i Oslos.

“Forcat konvencionale ruse ishin në një gjendje veçanërisht të rëndë dhe strategët rusë mendonin se Rusia duhej të përdorte armët bërthamore në një fazë shumë të hershme në një konflikt me NATO-n”.

Kështu, çështja se cili fiton në Ukrainë mund të ndryshojë botën. “Vlera e armëve bërthamore varet pikërisht nga rezultati i kësaj lufte”, argumenton Budjeryn. Nëse Ukraina fiton duke përdorur armatimin perëndimor dhe rimerr territorin që ka humbur që nga 24 shkurti, “ndoshta do të arrihet në përfundimin se këto armë janë vetëm për diktatorët e tmerrshëm që shkaktojnë dhimbje dhe mbi të gjitha, janë të padobishme”.

Kjo do të ishte më e vështirë për t’u argumentuar nëse Ukraina mposhtet dhe copëtohet. “Bota do të dalë nga kjo luftë me disa pyetje të thella dhe ide shumë të dhimbshme mbi rolin që duhet të luajnë armët bërthamore në çështjet njerëzore”./ Monitor

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej