Ministrja Elisa Spiropali ka dalë sot në një komunikim direkt dhe i ka bërë thirrje drejtësisë të rihapë çështjen e 21 Janarit 2011, sot në 12 vjetorin e përkujtimit të protestës që përgjaku demokracinë shqiptare. Katër protestues të opozitës socialiste u vranë në bulevard.
Duke ju referuar përgjimeve dhe transkripteve të Gardës së Republikës, të publikuara nga gazetari Artan Hoxha, ministrja Spiropali tha se ato janë një dritëz shprese për viktimat, familjet e tyre dhe vetë demokracinë.
“E dimë të gjithë që më 21 Janar nuk pati vdekje aksidentale, por vrasje shtetërore. Publikimi dje i transkriptit të një audio ku flitet për armë zjarri dhe gatishmëri për zjarr sapo protestuesit kalojnë gardhin, ndërkohë që katër dëshmorët e asaj dite të zymtë u vranë shumë larg gardhit të Kryeministrisë, kërkon reagimin e menjëhershëm të organeve të drejtësisë.
Ky është një fakt i ri që bërtet shumë fort për drejtësi në emër të viktimave, jetimëve, familjarëve dhe vetë demokracisë së përgjakur më 21 Janar.