Rama bën gati ndryshimet në qeveri: presion nga deputetët për kabinet politik

Replikat e ashpra ndërmjet Erjon Braçes dhe Edi Ramës prej ditësh, duket se nuk janë thjesht një shprehje e inatit apo emocioneve personale mes tyre.

Jo vetëm gjasat, por edhe zhvillimet tregojnë se kemi të bëjmë me një situatë të ndezur brenda PS-së, që po i kërkojnë Edi Ramës të mbajë fjalën e dhënë një vit më parë kur emëroi qeverinë aktuale.

Ai u bëri të ditur deputetët se do të emëronte ministrat që i kishte dekretuar njëherë Ilir Meta, si dhe njerëz pa parti, për të shmangur krizën me Presidentin. I cili mund ta kthente situatën në një vatër rebelimi politik, që do t’i kishte kushtuar mazhorancës.

E Rama, mësohet se ka thënë, kur të zgjedhim Presidentin e ri, atëherë është koha për të ndërtuar kabinetin politik të mandatit të tretë qeverisës.

Ndërsa sot, deputetët po i kërkojnë Ramës që të mbajë fjalën, e të mos ndjekë sërish manovrat e tij, duke shpërfillur me arrogancë grupin parlamentar.

Deputetët që nuk konsiderohen si të afërt të Ramës, në krye të të cilëve janë senatorët, thanë se nuk do të votonin një President Republike që të vijë si “ferman” direkt nga Kryeministria.

Kandidatura e general Bajram Begajt ishte si një lëvizje asnjanëse për të mos acaruar palët. Votimi për Presidentin nuk kaloi me probleme nga grupi parlamentar.

Por ndërkohë që me Presidentin ata pranuan një kompromis jo politik, Edi Ramës tani po i kërkojnë që të ndreqë situatën në qeveri.

Sipas gjasave, Rama do të bëjë ndryshimet qeveritare në shtator, e që tani kanë nisur të qarkullojnë edhe emrat që mund të lëvizin. Dy nga emrat që shihen jashtë qeverisë janë Olta Xhaçka dhe Niko Peleshi, ndërkohë që në ministrinë e Mbrojtjes mund të emërohet Elisa Spiropali.

Fjalët janë hapur sikur Rama do të kthejë Ditmir Bushatin në krye të diplomacisë, por nga deputetët është kërkuar që të ketë përfaqësim sa më real të kontributit politik.

Kjo pasi sot ka një balancë të përmbysur ku dy ministra nga më të rëndësishmit të Shqipërisë si Ministri i Brendshëm dhe ministri i Turizmit e Mjedisit, i përkasin qarkut të Gjirokastrës. Ndërkohë ka qarqe të tjera që nuk kanë përfaqësim fare në qeveri, duke nisur nga veriu, por edhe Shqipëria e Mesme.

Problem i madh mbetet ministria e Brendshme, ku kandidat mësohet se është Arben Pëllumbi, por edhe Petro Koçi e Blend Klosi. Ka shumë gjasa që ky dikaster ose të vazhdojë të lihet në duart e Çuçit ose të sillet një i “jashtëm”. Emri? Ish-shefi i shtabit të përgjithshëm i ushtrisë, sot deputet i PS-së i qarkut Berat, Bardhyl Kollçaku.

Rama ka bërë të ditur se nuk do ta lëvizë ministren e Financave Ibrahimi dhe atë të Bujqësisë Krifca. Nga deputetët i është kërkuar se nuk mundet që në dy dikastere me rëndësi në bazë të lihet në duart e outsider-ve. Beteja që Erion Braçe ka nisur prej kohësh me Frida Krifcën, është fituar thuajse me diferencë të madhe nga ish-zvkryeministri, i cili e ka nxjerrë jo vetëm në gafa të njëpasnjëshme ministren, por i ka treguar se nuk ka një ide të qartë për bujqësinë.

Replikat e Edi Ramës me Braçen në favor të Krifcës kanë lënë të kuptojnë se kryeministri është me ministren e tij, e nuk e pranon në qeveri ish-numrin dy të mandatit të dytë. E sipas gjasave, Rama nuk do të pranojë që të emërojë Braçen si ministër Bujqësie, por nëse e bën këtë do të lëvizë Ibrahimin. Që do të thotë në një sektor mund të bëjë kompromis, e ai nuk ka qejf të lëvizë ministren e Financave. Nëse ndodh kjo, pritet ta justifikojë me batutë emërimin e Braçes se “ma mori me dhunë”. Megjithatë, zhvillimet në këtë sektor janë mjaft dinamike, e pritet të ketë ngjarje të reja që do të kondicionojnë situatën.  Sidomos nga hetimet që mund të vijonë nga Prokuroria Speciale…

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej