Rama ironizon BE-në për amnistinë fiskale: Nuk tërhiqem

Kryeministri Edi Rama deklaroi të mërkurën se nuk është tërhequr nga nisma për amnistinë fiskale, ndërsa i quajti “moskuptime” dhe “keqkuptime” kritikat direkte të Bashkimit Europian për këtë nismë ligjore të qeverisë të publikuar në fillim të korrikut.

I pyetur nga BIRN pas mbledhjes së qeverisë nëse qeveria ishte tërhequr, Rama tha: “ne nuk jemi tërhequr, por ne po vazhdojmë të diskutojmë dhe po vazhdojmë të dëgjojmë për të sheshuar të gjitha moskuptimet, keqkuptimet apo edhe për të ekspozuar edhe mosdëshirën për të mos kuptuar”.

Rama tha se ishte këmbëngulës për ta bërë amnistinë, duke pranuar se drafti fillestar mund të ketë ndryshime. “Ne jemi këmbëngulës, po dhe të duruar që të pastrojmë të gjitha ato cepa nga çdo lloj pluhuri apo iluzioni optik se aty ka pluhur dhe pastaj secili do ketë bindjen e vet,” tha ai duke shtuar se përfaqësonte shqiptarët dhe jo ndonjë popull tjetër.

“Aministinë e kërkojnë 60 për qind e shqiptarëve,” tha Rama duke iu referuar një pyetësori të bërë nga qeveria pa asnjë çertifikim shkencor.

Amnistia u kundërshtua nga delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë dhe shoqatat e biznesit.

Vendet e Bashkimit Europian shprehën në korrik shqetësimin për nismën e qeverisë duke e cilësuar rrezik serioz për reputacionin e vendit dhe dobësim të kontrollit mbi pastrimin e parave.

“Për shkak se rezidentët jotatimorë, përfshirë shqiptarët që jetojnë në BE ose në Ballkanin Perëndimor, përfshihen në objektin e tij dhe u kërkohet të importojnë para në dorë për të përfituar nga amnistia, drafti aktual i ligjit ngre shqetësime serioze për shtetet anëtare të BE-së dhe partnerët e tjerë, si dhe një rrezik thelbësor reputacioni për vendin,” thuhet në një njoftim të shpërndarë nga zyra e delegacionit të BE-së në Tiranë.

I pyetur për kundërshtinë e BE-së, Rama me nota tallëse u përgjigj “ju qani hallin sa do mërzitet BE-ja apo sa do mërzitet Amerika? Çfarë halli qani? Këta i kanë punët në rregull”.

Sipas kryeministrit, nuk mund të paragjykohen qindra e mijëra shqiptarë emigrantë që kanë punuar në të zezë dhe nuk munden të sjellin paratë në Shqipëri vetëm për 1 për qind të tyre që janë përfshirë në krime.

Projekti i qeverisë i hedhur për konsultim publik parashikon që përkundrejt një tatimi nga 5 deri në 10% të pasurisë së vënë përmes kontrabandës apo evazionit fiskal, shtetasit shqiptarë apo të huajt me rezidencë fiskale në Shqipëri do të kenë mundësinë të deklarojnë deri në 2 milionë euro për familje dhe t’i shpëtojnë përgjithmonë përgjegjësisë penale apo administrative për krimet e kryera, përfshirë evazionin fiskal, mashtrimin me TVSH-në apo kontrabandën me mallrat e akcizës.

Një nismë e ngjashme në vitin 2020 u përball me kritika nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe u tërhoq nga qeveria “Rama”.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej