Kryeministri Edi Rama në një intervistë për median greke Kathimerini ka marrë në mbrojtje ministren e tij Olta Xhaçkën, ku tha se nuk është e vërtetë së bashkëshorti i saj ka përfituar prona publike në mënyrë të paligjshme në Himarë.
Rama i tha gazetarit grek se nëse akuzat e opozitës do të bazoheshin në prova, atëherë ai duhet që të njoftonte policinë.
Gazetari grek: Ekzistojnë histori për anëtar të qeverisë që mbështesin interesa të veçanta në Himarë. Një prej tyre, historia e Artan Gaçi, bashkëshorti i Olta Xhaçka ministre e Jashtme, që është pronar i AGTCC Hotel Managment dhe se kjo kompani është vendosur investitor strategjik në Himarë. Madje u bë bisedë e madhe në parlamentin shqiptar dhe Gjykatën e Lartë. Si e komentoni këtë?”
Rama: Dëgjoni, nëse debatet në parlament do ishin prova, atëherë nuk do duhet të flisnit me mua por të lajmëroni të policinë ku ndodhem. Çdo hotel në çdo plazh shqiptar ka leje funksionimi. Leja që i’u dha këtij investitori ishte mes mijëra të tjerave që u dhanë nga Adriatiku në Veri deri në Jug. Pyetja nuk u drejtua nga pronarë që gjoja i vodhën. Përkundrazi, pronarët aty bënë një marrëveshje si kudo tjetër. Kur pronarët nuk janë të kënaqur nuk bëjnë marrëveshje ose flasin hapur për padrejtësitë. Pyetja ime është e thjeshtë. Çfarë duan ata që reagojnë? Duan që njerëzit që jetojnë në Himarë të zhvillojnë tokën apo të jetojnë si Robinson Kruzo? Njerëzit përdorin tokën sipas planit dhe paguhen mirë, marrin shumë para. Duam të zhvillojnë Himarën, duam të zhvillojmë çdo zonë të vendit dhe nuk mund të më gjeni një rast kur në një zonë morëm tokë e lejuam investime strategjike duke shkelur të drejtat e pronarëve.”-u shpreh Rama.
Kujtojmë që kryeministri Rama ka mbi një vit që mbron Xhaçkën, teksa ka bllokuar heqjen e mandatit te deputetes. Kërkesa e demokratëve u bë që në muajin qershor, por PS përmes manovrave arriti ta mbante në detyrë Olta Xhaçkën. Fillimisht ministrja solli një avokat, më pas u fut në lojë grupi i Berishës, të cilët po ashtu e zvarritën procesin dhe deri në fund të korrikut kur u mbyll sesioni Parlamentar Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit nuk mori dot një vendim.
Kërkesa e demokratëve bazohet në nenin 70 të Kushtetutës i cili shprehet: “Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre. Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë”.
Ndërsa në nenin 119/1 të Rregullores së Kuvendit janë përcaktuar hapat që duhet të ndjekë Kuvendi pas dorëzimit të kërkesës. Sipas këtij neni, Kuvendi nuk vë në diskutim mocionin e paraqitur dhe nuk ia nënshtron atë debatit parlamentar, pasi nuk i hyn themelit të çështjes për të vlerësuar nëse veprimet konkrete të pretenduara të kryera nga deputeti janë të papajtueshme me mandatin e tij.
Sipas tij, vlerësimi nëse kemi apo jo konflikt interesi është një çështje që i përket ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese.
Ministren e “mori në qafë” burri i saj, ish-deputeti Artan Gaçi. “Pamfleti” ka publikuar dhjetra herë fakte se si Artan Gaçi është favorizuar si investitor strategjik. Artan Gaçi ka përfituar 8 mijë metër katror tokë në Himarë. Konkretisht, për 8000 m2 tokë e plazh, që kanë marrë për resortin “Dreamades Luxury Suites” Gjilekë-Himarë, Artan Gaçi e Olta Xhaçka, kanë paguar 70 mijë lekë tarifë për shërbimet administrative dhe 15 mijë lekë, tarifë për menaxhimin e procedurave të investimeve strategjike.