Kryeministri Edi Rama ka nisur me presionet dhe kërcënimet ndaj qytetarëve që të mos votojnë asnjë kandidat tjetër përveç emrave të PS. Sot ai ka deklaruar nga Kamza se qeveria nuk do të japë asnjë fond për bashkitë që do të marrë opozita.
Edhe pse deri dje Rama deklaronte se është kryeministër i të gjithëve, duket se tani i është kthyer politikës së vjetër. Historikisht kështu ka ndodhur. Nëse PD ishte në pushtet, bashkitë e majta nuk merrnin fonde. Kur ishte PS në pushtet ndodhte me bashkitë e djathta. Por Rama këtë herë e ka pranuar publikisht se do bllokojë fondet duke penalizuar në këtë mënyrë qytetarët për bindjet e tyre politike, ndonëse kjo është demokracia, që gjithësecili të votojë atë që do.
Rama u justifikua me faktin që nuk bashkëpunon me “non grata”.
“E doni gomar me kurriz të fortë siç është ky gamori këtu (Rakip Suli) apo gamor me veshët e gjata. Si e doni? Doni që kur të shkoni te bashkia dhe tu dali njoni me ato dy veshët e gjatë dhe do ikni me bishtin ndër shalë. Siç keni ikur me gisht lart dhe bishtin në shalë. Kush do fusë gomarin me veshë të gjatë në bashki ta harrojë mbështetjen nga qeveria. Ne nuk mundet kurrë të na vënë para faktit të kryer me demek në emër të botës dhe të na detyrojnë të bashkëpunojmë me një individ të shpallur “non grata”, jo nga unë, jo nga Mali i Zi, jo nga Maqedonia, por nga SHBA. Dhe është e habitshme se si ithtarët e demokracisë, të lirisë, të ndryshimit ju fusin në luftë kundër Amerikës. Ky është turp”, tha ai.
Më tej ai vijoi sulmet ndaj Metës dhe Berishës. Duke marrë shkas nga operacioni i pak ditëve më parë, Rama i krahasoi ata me apandesitin. Sipas tij, misioni është heqja e këtij apandesiti.
“Kemi një apandesit për të hequr që është i dhimbshëm i shumë viteve me dy koka, emrat nuk po i përmend që mos të prishim kënaqësinë e kësaj feste të gjelbër”, tha Rama.