Dy dinosaurët e politikës kanë hyrë në sherr me njëri-tjetrin për rolin e interlekutorit. E pikërisht tani duhet të flasë Lulzim Basha, për të mos lënë që zgjedhjet vendore të jenë pazar…
Edhe pse jemi ende në fillim të zhvillimeve, duhet thënë se ka nisur një turbullurë politike për zgjedhjet bashkiake të vitit të ardhshëm. Turbullirë që ka përfshirë të gjitha krahët, e po i kondicionon realisht ngjarjet sin ë mazhorancë ashtu edhe në opozitë.
Ilir Meta kërkon të rrisë pazarin ndërkohë që ‘i kanë rënë brekët’; Sali Berisha po përfiton nga ‘gjumi’ i rivalëve brenda PD-së për t’i selektuar ai kandidatët për kryetar bashkie. Ndërkohë, të tjerë aktorë po lëvizin vetë për të rimarrë ata pozicione, të cilat i kanë lehtësisht të manovrueshme. Dy nga ata janë Zef Hila e Xhelal Mziu, të cilët po bëhen gati të jenë kandidatë në Kamëz e bashkinë Vau Dejës, duke ju bashkëngjitur menjëherë Sali Berishës, meqë ai i ka militantët e thekur, siç janë edhe zgjedhësit e këtyre dy bashkive…
E gjitha kjo që po ndodh tani është në fakt një ‘deja-vu’, e cila do të duhej që të praktikohej që në vitin 2019, por Sali Berisha dhe Ilir Meta e shtynë Lulzim Bashën që të bojkotonte ato zgjedhje, ngaqë kërkonin të bëheshin ata vetë pjesë të pazarit e jo kryetari i PD-së.
E sipas skemës, që siç duket ishte një lloj pakti për të zbutur tensionet në vend, mësohet se Edi Rama ishte gati t’i linte opozitës deri edhe 50% të bashkive në vend, duke përfshirë edhe 3 shumë të rëndësishme.
Durrësi, Elbasani ishin pjesë e tavës, por atëherë u fol edhe për Tiranën. Pasi, siç dihet pati deklarata të forta për “varje në pemë” apo edhe ftohje me kryebashkiakun e kryeqytetit, që u mor si një sinjal politik.
E në fakt, nuk se kemi të bëjmë me një zhvillim që nuk është parë në politikë. Është thjesht një ligj klasik i saj, që nëse do të qeverisësh pa tensione, duhet t’i japësh kundërshtarit një pjesë të pushtetit. Nëse nuk i jep bashkitë, do t’i japësh qeverinë. Nuk mundet që militantët e PD-së të kënaqen vetëm me bashkinë Shkodër, Vau Dejës, Lezhë, Kurbin, apo edhe me Pogradecin.
Ata duan vende pune për të sistemuar njerëzit që janë të irrituar, duan pole pushteti për të mbajtur gjallë qendrat politike. Në fund të fundit gjithmonë kështu ka përfunduar.
Në vitin 2019, Ilir Meta nxori dekretin për të ç’dekretuar zgjedhjet e 30 qershorit nga frika se Lulzim Basha do të hyjë në votime, ngaqë kishte pranuar pazarin e Edi Ramës.
Në fakt, Basha nuk kishte mendje për të hyrë, ngaqë u qëndroi luajal Berishës e Metës, e për këtë ai sot është i mënjanuar. Ngase, nëse do të ishte në tavën politike, do të ishte bërë shumë më i fuqishëm sesa dy dinosaurët që po çmendin opozitën. Të paktën do të kishte bashkitë e Elbasanit e Durrësit, si qendra të fuqishme që mund të sillnin edhe dy tre deputetë të tjerë në Kuvend. Që do të thotë, ndoshta edhe çelësat e dhomës së butonave në 2021. Ja pra që ishte Meta fajtori. Nëse ai nuk do të nxirrte dekretin, ndoshta me ndërhyrjen e SHBA, Lulzim Basha mund të kishte hyrë në zgjedhje. E tani synojnë që pazarin me Ramën ta bëjë Berisha dhe Ilir Meta. Madje dy dinosaurët e politikës kanë hyrë në sherr me njëri-tjetrin për rolin e interlekutorit. E pikërisht tani duhet të flasë Lulzim Basha, për të mos lënë që zgjedhjet vendore të jenë Pazar…/Pamfleti