Rruga e Arbrit ka hyrë në vitin e pestë të punimeve, por përveçse nuk ka përfunduar ndërtimi i saj brenda afatit të kontratës 3-vjeçare e nuk dihet kur do përfundojë, në këtë rrugë po shtohen miliona Euro çdo 6 muaj.
Me urdhër të zv/kryeministres Belinda Ballaku, njëherazi Ministre e Infrastrukturë-Energjisë, nga buxheti i shtetit do dalin 15 milionë Euro të tjera financim shtesë për Rrugën e Arbrit, gjoja për punime sigurie të pa parashikuara.
Në debatin parlamentar për buxhetin 2023, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, deklaroi se me Rrugën e Arbrit dhe me koncesionarin Rrok Gjoka, ishin mbyllur përfundimisht llogaritë financiare 345 milionë Euro, sipas kostos bazë e kostove shtesë.
Mirëpo, oligarkut Rrok Gjoka i duhen 15 milionë Euro të tjera, me mashtrimin se në 4 segmente të rrugës, ka nevojë për punime e vepra arti përforcuese për masa sigurie, po pa paraqitur asnjë specifikim në projekt e pa preventivë punimesh me zëra konkret.
Në nëntor 2021, rruga u inaugurua nga kryeministri Edi Rama me miting, këngë e valle dhe grupe folklorike fëmijësh, të nxjerrë në të ftohtë për t’iu dhënë lule e recituar vjersha udhëheqësve, paçka se nuk ishte përfunduar as 60% e rrugës si projekt teknik e tunele, ndërsa 18 kilometër ishin pa filluar.
Ministrja Ballaku, tha se rruga do përfundonte brenda muajit prill 2022, por firma ndërtuese “Gjoka Konstruksion” nuk po jep sinjal përfundimi as për muajin prill 2024, ndërkohë që Babloku e Balluku vazhdojnë i shtojnë miliona Euro Rrokut.
Ka zëra se këto 15 milionë Euro shtesë te Rruga e Arbrit, do jenë fond i PS për zgjedhjet e 14 majit, sepse nuk është rastësi që sa herë ka zgjedhje, te Rruga e Arbrit dalin befasisht punime të pa parashikuara ose shembje tunelesh e skarpatash.
Siç u shtuan 25 milionë Euro para zgjedhjeve të 25 prillit 2021, për gjoja shembjen e dytë të tunelit të Murrizit, si dhe 22 milionë Euro shtesë te rruga Kardhiq- Delvinë që e ka po Rrok Gjoka.
Sipas kontratës, kostoja e Rrugës së Arbrit ishte 249 milionë Euro pa TVSH, ndërsa me 4 shtesat gjatë viteve 2019-2022 dhe më shtesën 15 milion Euro që do shtohet brenda muajit prill 2023, kostoja totale shkon 360 milionë Euro pa TVSH… e nuk dihet kur do përfundojë./Pamfleti