A ju kujtohet biondja e famshme e “kërpëratave”? Ajo deputetja që mundohej të bënte ironi, por i mbahej goja tek fjala korporatë se nuk ia kishte idenë se çfarë ishte? Po Kujtim Gjuzi i famshëm i Parlamentit? Po ca fytyra epike që përgjatë këtyre viteve i kanë kaluar përpara syve të publikut me gafa që edhe më i pashkolli do ua kishte zili?
Bëni mirë ti kujtoni, sidomos kur të jeni përpara kutive të votimit. Sepse e gjithë tufa e leshkove e palaçove që “iu bie bretku duke punuar” për popullin në Parlament, nga 1 prilli do ta ketë pagën 2-fish më të lartë nga sa e kanë pasur deri më sot.
Dje, komisionet parlamentare shënuan ngjarjen më epike të historisë së 30 viteve të fundit. Pasi PD dhe PS bllokuan propozimin e qeverisë për rritjen e pagave të punonjësve të administratës civile, dje deputetët tanë të çmuar i dhanë karar dhe vendosën që të rrisin pagat…e tyre.
Pra, pasi hëngrën inat me Presidentin që i shkonte paga mbi 4 milion lekë të vjetra, deputetët mblodhën kartonët dhe rritën plot 2 herë më shumë pagat e tyre mujore. Që po ti shtosh përfitimet e tjera që marrin si deputetë, mund të themi që do tua mbivendosin shtresat e dhjamit vetes për bukuri.
E thënë ndryshe, ajo që u nis si iniciativë paraprake elektorale, për rritjen e pagave të administratës civile që ende punon me 500 mije lek në muaj rrogë, rezultoi një aksion fitimprurës për tufën më të papërgjegjshme të shërbëtorëve politikë, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.
310.250 lek ose 3 milion lek në muaj do të marrin “kërpëratat”, injorantët me diploma false, dallkaukët që Rama nga një anë e Basha e Berisha nga ana tjetër, zgjedhin për t’u shërbyer në Parlament.
3 milion lekë në muaj, për ata që as zgjedhësit e tyre nuk ua dinë emrat e as u njohin fytyrat.
3 milion lek në muaj për çdo mashtrues që një herë në katër vjet u premton shqiptarëve yjet e pastaj marrin grua e fëmijë e vijnë jetojnë në Tiranë.
“Shërbëtorët e popullit” morën atë që kërkuan.
Punonjësit e thjeshtë të administratës, ata që kërcënohen me bukën e gojës për vota e shërbime, që drejtohen nga kushërinjtë, dashnoret e dashnorët e këtyre që “rrinë sipër”, do ta marrin valë-valë premtimin e Ramës. 900 euro në muaj, tha i madhi, por avash-avash. Do rriten, por deri sa të vijnë zgjedhjet e tjera, ato të rëndësishmet, parlamentaret.
Hallexhinjtë do ti marrin nga pak, që tua ndjejnë lezetin tamam, e ta ndjejnë siç duhet thikën që u rrotullohet në stomak. Përndryshe si mund ti mbushin kutitë në ditë votimesh, për 140 dallkaukë që 1.5 milion në muaj u dukeshin pak. Kërpëratat duan këllqe dhe nga sot edhe rrogë të majme. Sepse kështu si po shkon fati i shqiptarit po bëhet zor të gjesh të tillë hajvanë për të mbushur sallën e Parlamentit./Pamfleti