Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar drejtpërdrejt ambasadoren Yuri Kim, për vendimin e djeshëm të Gjykatës së Apelit, e cila e dërgoi çështjen për vulën dhe logon e PD për rigjykim. Me këtë vendim, deri në betejën e re ligjore, në krye të PD është Enkelejd Alibeaj.
“Në procesin gjyqësor të shpalljes palë të atij që nuk është palë, një rol të dorës së parë ka luajtur Yuri Kim, e cila ka ndërhyrë në mënyrë më brutale të gjykatësja me Erion Velinë. Këto janë të faktuara”, u shpreh Berisha nga mbledhja e Kryesisë.
Nga selia e PD që me ligj duhet ta lirojë, ish-kryeministri u shpreh se Edi Rama dhe mafia e tij kombëtare dhe ndërkombëtare, u bënë bashkë dje për t;i dhënë goditjen fatale Partisë Demokratike.
Pjesë nga fjala e Sali Berishës, nga selia e PD:
Ky moment është dëshmia më flagrante e tmerrit që ka kapur Edi Ramën, mafien shqiptare të tij, por e vërteta është dhe segmente të mafias ndërkombëtare. Ata e shohin se ndërkombëtarët janë të pamposhtur. U përpoqën t’i japin PD goditje fatale, duke mbajtur një kufomë politike, një peng politik në krye të saj, që e akuzonin ligjërisht dhe publikisht si një kukull të financuar nga rusët dhe sipas tyre, sipas Edi Ramës, por e vërteta është po kaq dhe të Yuri Kim, ky ishte i përshtatshëm për të drejtuar forcën më të madhe opozitare.
Që përfaqësuesja e vendit të madh të lirisë, të partnerit tonë kryesor, të përpiqet me të gjitha mënyrat që opozita shqiptare të kryesohet nga një njeri i financuar nga rusët nuk ka paradoks më të madh se ky.
Por, këto skenare të cilat filluan me McGonigal dhe George Soros, me një qëllim të vetëm: çimentosjen e pushtetit të Edi Ramës. Ky skenar vazhdoi me proceset me të cilat Lulzim Basha u fut në thes dhe tani Edi Rama mendon se pasi dështoi me bravën, do e ringjall Bashën me vulën.
Në procesin gjyqësor të shpalljes palë të atij që nuk është palë, një rol të dorës së parë ka luajtur Yuri Kim, e cila ka ndërhyrë në mënyrë më brutale të gjykatësja me Erion Velinë. Këto janë të faktuara.
Vendimi i djeshëm është një histori turpi e faqja e zezë, për të gjithë ata që mbajnë autorësinë e tij. Vendimi i shkrua në zyrën e Edi Ramës dhe u dërgua në gjykatë nga Elira Kokona, ndihmësja e Don Agaçios, dhe u lexua.
Unë u them demokratëve, sigurisht që Edi Rama mendoi të na japë një goditje, por në të vërtetë na dha një kushtrim. Në të vërtetë ai nxorri fytyrën e vetë siç e ka, i gatshëm të marrë çdo vendim dhe qëndrim, për interesa të pushtetit të tij.
Opozita shqiptare ka qenë, është dhe do mbetet më properëndimore në historinë e vendit, në rajon. Demokratët janë sot të thirrur të vazhdojmë revolucionin tonë.