Sali Berisha do të garojë në Kukës sërish nën ombrellën e Ilir Metës. Ndonëse pati një kërkesë nga ana e tij që të futej në zgjedhje me logon e PD, KQZ e ka refuzuar dhe ka vendosur që të regjistrojë Koalicionin “Bashkë Fitojmë”, me në krye Partinë e Lirisë.
Berisha në këto zgjedhe ka propozuar si kandidat Emir Vatën dhe ai është regjistruar nën logon e “Bashkë Fitojmë”. Pra duket se do të ndiqet e njëjta skemë si në 14 maj. Ilir Meta i ka vënë në dispozicion Berishës partinë për të garuar, ndërkohë që në fund votat i shkojnë PL-së dhe jo PD-së. Është PL që falë ktyre votave ka përfituar më shumë fonde dhe më shumë komisionerë.
Ndërkohë PS në këto zgjedhje do të garojë me Albert Halilajn. Ajo që bie në sy është se deri më tani nuk ka asnjë propozim nga PD-ja zyrtare. Lulzim Basha nuk ka dërguar asnjë kërkesë në KQZ për tu regjistruar dhe nuk ka asnjë kandidat. Sot është afati i fundit i regjistrimit dhe mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë deri në mesnatë.
Kukësi shkon në zgjedhje për shkak të skandalit seksual të Safet Gjicit. Por duket se do jetë dhe një test për opozitën. Berisha ka vendosur të shkojë sërish te Meta duke konfirmuar aleancën mes tyre.