SHBA të alarmuara për sistemin TIMS, luftë e madhe në prapaskenë që dosjen ta hetojë SPAK dhe jo Prokuroria e Tiranës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se janë alarmuar për mega-skandalin e grabitjes së të dhënave të sistemit TIMS.

Gjatë këtyre ditëve, përfaqësues të SHBA-ve të atashuara në vendin tonë kanë reaguar shpesh dhe kanë kërkuar hetim të plotë për këtë çështje shumë delikate që rrezikon sigurinë e të dhënave të shqiptarëve, por dhe qytetarëve amerikanë. Ky sistem është ngritur falë mbështetjes së vyer të Uashingtonit dhe ndërkohë gazeta “SOT” ka mësuar se amerikanët nuk do të lejojnë që ky skandal të kalojë pa u ndëshkuar siç duhet. Mësohet se në prapavijë po bëhet një luftë e fortë, ku mazhoranca socialiste kërkon që çështje të hetohet nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë që ky skandal të hetohet nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Vetë kryeministri Edi Rama, gjatë një konferencë për mediat këtë të premte që shkoi, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve mbi akuzat e opozitës për të dhënat e sistemit “TIMS” i cilësoi sajesa.

Por ky qëndrim i Ramës nuk qëndron, për aq kohë sa nga ana tjetër institucionet që varen nga ministrat e tij sikundër është Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thotë të kundërtën e tij, e madje ka pranuar publikisht këtë ngjarje dhe njoftoi javën që shkoi se ka kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës skandalin me sistemin TIMS. Kjo lëvizje e drejtuesit Ardi Veliu është më shumë lëvizje taktike për të fshehur skandalin dhe vjen pasi ambasada e SHBA ngriti shqetësimin për rrjedhjen e të dhënave, e cila madje ofroi edhe asistencë nga prokurorë dhe hetues të FBI për të zbardhur sa më parë këtë megaaferë, për shkak se të dhënat e shtetasve shqiptarë dhe të huaj kanë rënë në duar të gabuara.

Nëse skandali hetohet nga Prokuroria e Tiranës, çështja del nga vëmendja dhe hetim bëhet qesharak, duke qenë se skandali është shumë i madh. Kështu që përpara kësaj situate ku mazhoranca synon ta eklipsojë si ngjarje dhe hetimin t’ia lërë në dorë prokurorisë së kryeqytetit, mësohet se amerikanë kërkojnë që çështjen në fjalë ta hetojë SPAK. Pra, logjika e partnerit tonë më strategjikë sikundër janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qëndron, pasi është SPAK ai që heton korrupsionin e një polici dhe përballë këtij skandali të madh, institucioni i drejtuar nga prokurori i hekurt, Altin Dumani është i dënuar të zbardhë këtë megaaferë skandaloze.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lexo mË tej