Është zbardhur debati i dy 43-vjeçarëve që mbetën të vrarë ditën e djeshme në Kavajë.
Edmond (Armand) Gosa dhe Altin (Sali) Rexha u takuan në një lokal të qytetit të Kavajës për tu sqaruar për sherrin që kishin pasur tre ditë më parë. Shkak për sherrin është bërë një arsye banale, fakti që Rexha ishte me origjinë nga Kukësi dhe ishte shpërngulur në Kavajë.
“Shko në Kukës atje ku ke familjen. Nuk keni punë ju veriorët në Kavajë,” mësohet t’i ketë thënë Gosa 43-vjeçarit kuksian i cili menjëherë filloi të debatojë deri në përplasje fizike.
Gosa e ka qëlluar me thikë Rexhën, ndërsa ky i fundit i është kundërpërgjigjur duke qëlluar tre herë me armë zjarri. Të dy u dërguan në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, por fatkeqësisht ndërruan jetë.
Ndërkohë, dje një nga dëshmitarët tha se në momentin e ngjarjes Rexha ishte i shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmija i tij i mitur.