Sikur nuk shkon, ti me fuoristradë dhe babai me dhi!

Nga Magdalena Ramohito

Ky, që e kam vënë si titull është postimi i një vajze shumë të zgjuar në fb e saj.

Deri sot nuk kam parë asnjë analizë të shoqërisë sonë postkomuniste 32 vjeçare, në planin ekonomik, politik dhe mandej edhe etik. Shpesh e vë re se indiciet për të bërë analiza nuk vijnë nga njerëzit me diploma, apo të shtresës së pasur, por nga njerëz modest, që janë vëzhgues të mirë të marrëdhënieve dhe “luftës” midis shtresave shoqërore,  në planin ekonomik, politik edhe etik.

Sot në TV Kombëtare ka 11 emisione politike, nga e hëna në të enjte. Në fakt “politikë “ është një fjalë e madhe për një vend si yni prej tre milion banorësh me një nivel akademik shumë të ulët. Gjithë çfarë diskutohet në këto emisione rreth një vit e gjysëm është, si do bashkohet PD, si do mundet Edi Rama.

Asnjë emision me temë sociale për be! Asnjë përsiatje për të trajtuar tema rreth marrëdhënieve etike në përgjithësi, ndërsa trajtimin e tyre në fshat as që i shkon kujt ndër mend. Edhe në ndonjë rast, që është tentuar temë sociale, diskutimi ka qenë me panele injorantë të fushës, me një përgatitje minimale, pra aspak profesionale. Shkaku?-bie audienca!

Vajza, që ka postuar këtë realitet ka pasur parasysh marrëdhëniet etike në fshat. Në fakt, në këto pak muaj që kam rihapur fb tim (pas një periudhe shumë të gjatë kohe, pasi pata një problem hakerimi…) kam lexuar me shumicë shkrimtarë dhe poetë, të cilët vizatojnë situatën politike siç iu pëlqen shumicës së ndjekësve të tyre, shajnë politikanët duke i akuzuar si hajdut, “qajnë” për të varfërit se nuk kanë bukë për të ngrënë. Sapo pashë postimin e vajzës, postim i cili meriton të bëhet MEME, m’u kujtua kryevepra e Balzac “Fshatarët”.  Marksi e ka quajtur shkrimtarin e madh  “Doktor i Shkencave Ekonomike” dhe tek romani i tij “Fshatarët”, ai u mbështet për të shkruar Vëllimin e 3-të të “Kapitalit”.

Asnjë shkrimtar ose analist shqiptar kryesisht ata, që kanë edhe ndonjë vilë në fshat, nuk është futur në brendësi të marëdhënieve ekonomike në fshat, apo të punëve në bujqësi si edhe të prodhimit bujqësor. Kujtoj Balzakun te romani “Fshatarët”, i cili përshkruan me hollësi kultivimin e rrushit dhe procesin e prodhimit të verës së zier, por përvec kësaj ai trajton marrëdhëniet ekonomike midis arstokracisë së fshatit dhe fshatarëve. Marrëdhëniet e borgjezisë me aristokracinë fshatare dhe kur shoh se si funksionon kjo shoqëria jonë “kapitaliste”, më ngjan si Franca përpara 200 vjetësh.

Balzac p.sh., me aq sa më kujtohen personazhet, tregon se si Kontesha parisiene me një kështjellë në fshat ndikon në mënyrë të tillë, që një fshatar, pasi  bëhet i pasur (nuk ka rendësi se si) emërohet Kryetar Bashkie. Ky kryetar i bashkisë emëron rojtarin e pyllit, i cili korruptohet nga kundravajtësit, në mënyrë të tillë që të presin dru jo në pyllin e Konteshës, por tek pylli i gjeneralit, i cili luftonte me dinjitet për t’i dënuar kundravajtësit, që mbroheshin nga Kryetari i Bashkisë.

Balzac thoshtee se, ligji në Francën e asaj kohe zbatohej brenda Parisit (në Shqipërinë e vitit 2023 brenda unazës së Tiranës). Ndërsa në provincë, thoshte ai, gjenerali shkonte në polici (e korruptuar nga Kryetari i Bashkisë) i çonte policët te shtëpia e fshatarit, i cili  kishte bërë drutë në pyllin e tij, atje gjente nënën plakë e cila e merte fajin përsipër në vend të djalit të saj dhe shkonte në burg. Dhe perseritej vjedhja tek pylli i gjeneralit, i cili ishte njeri i pa koruptueshem. A nuk ka ndodhur edhe te ne kështu? Djali ka mbjellë parcelat me hashash dhe babai ose nëna ka shkuar në burg.

Kryetari i Bashkisë emëronte nëpër poste kunatin e tij, baxhanakun, vëllain e baxhanakut, kunatin e vëllait, vjehrrin e motrës etj….gjithë njerëzit më besnik dhe shumë të afërt me të. Kështu emëroheshin njerëzit edhe në Paris. Gjithë pasuria e Francës në duart e borgjezisë dhe aristokracisë fshatare. Gjithë rrugët dhe infrastruktura ju shërbente vetëm atyre. Gjithë ligjet i bënin  për vehte. A nuk është edhe këtu ashtu?

Të gjithë besnikët dhe familjarët e politikanëve (borgjezia shqiptare) të të gjitha krahëve bashkë,  kanë zënë administratën cep më cep.

Nëse do shohim në retrospektivë se si u soll politika me fshatin në lidhje me ndarjen e tokës, apo privatizimin e gjithë objekteve si pjesë të Marketimit Bujqësor, në rastin më të mirë Ligji 7501, që ja dha tokën fshatarit në përdorim dhe jo me tapi, ishte një vendim politikë, pra për të mos i bërë të pakënaqur shumicën e fshatarëve (ata nuk donin kurrsesi të riktheheshin ish bejlerët dhe agallarët, por ca bejlerë dhe agallarë me tesera partie të konvertuara PS dhe PD u krijuan me shpejtësi të frikshme, falë këtij ligji), në mënyrë që të siguronin pushtetin, dhe në rastin më të keq krijuan Feudin në fshat, ndërsa objektet e Marketingut u privatizuan pa asnjë rregull, duke e lënë të lirë pronarin e ri, të ndërronte destinacionin e tyre, duke bllokuar prodhimin në arë, në pamundësi për ta nxjerë në treg.

Sigurisht, që edhe opozita e kohës ishe në parlament edhe bashkë i kanë votuar ligjet, si VENDIME POLITIKE të momentit, por që krijuan një kosto shumë të madhe sociale, ekonomike dhe etike, ndërsa politika ka luajtur sistematikisht me vuajtet e fshatarëve, herë duke akuzuar pushtetin e herë duke bërë premtime elektorale, për të cilat kanë qenë të vetëdijshëm se nuk do i mbanin. “Lideri historik”, që “përmbysi diktaturën” e ka pranuar gabimin pasi u shpall Non Grata, në takimet me foltoristët.

Tani unë kam vite që i dëgjoj këta “borgjezët dhe aristokratët”, që qajnë e mallkojnë edhe pse i shoh shumë mirë ekonomikisht, po shumë mirë vërtet. Unë takoj njerëz shumë të pasur që qajnë edhe ankohen, edhe pensionistë me shtëpi edhe në fshat edhe në bregdet, të cilat “iua kanë blerë fëmijët, që kanë jashtë”. Kam parë, këtë verën që kaloi në bregdet, një familje numeroze, e cila ulej në bar-kafe bashkë me fëmijët dhe shpërdoronte para në mënyrë krejt të panevojshme, saqë gjërat derdheshin, akulloret hidheshin, ndërsa unë bëhesha gati për tu ngritur, që t’iu mbaja dorën fëmijëve (sëmundje profesionale).

Gruaja e re (pasi mbaronte konsumi) fliste me zë të lartë, për cmimet, jetën e vështirë dhe sigurisht “komunistët , nipërit dhe bijtë e bijve” etj…

Këta njerëz flasin për vila politikanësh në Gjirin e Lalëzit, por unë në fakt kam parë aty një qytet me vila, por sigurisht, që disa kur na shohin vënë telefonin në vesh, shkundin shapkat “nga rëra” e veprime të tjera në mënyrë, që të mos ndeshen sytë. Kjo situatë është në gjithë bregdetin tonë.

E çudtshme në fakt. Familja jonë kemi 20 vjet duke shlyer kredinë për një apartament 80 kuadrat metër, madje na ka ardhur turp të kërkonim ndonjë falje nga shteti shqiptar, si ish të interrnuar poitikë, sepse shteti ynë është vërtet i varfër. Lexoj në rrjetet sociale fb ose media të shkruar sulme ndaj “X” ministër dhe pas dy javësh i njëjti që kish bërë shkrimin poston në fb e tij foto me ministrin që kish sulmuar. Po i njëjti person komenton kundër Foltores, pas një jave poston foton me deputetin e Foltores, por jo thjesht foto, po komplimenete me superlativa.

Kështu ka raste pa fund. Nipi vjell vrer ndaj Kryetarit te’ X’ Bashkie socialiste, pas dy javësh xhaxhai i tij poston foton me Nën Kryetarin e kësaj Bashkie, por lavdërime që nuk mund të ketë kush nerva t’i lexosh dot dhe pas disa ditësh nipi shan Foltoren. Kjo skenë më kujton Hitlerin tek “Mein Kampf”; fiks gjermania pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa unë duke postuar statuse qetësuese për “poetët”, që pasi qanë shumë për punëtorët dhe fshatarët e varfër, janë qetësuar pas postimeve të fotove me kryetarë Bashkishë dhe ca figurave politike nga të dy krahët(jo të gjithë).

Më duhet të rikthehem te vendimet e qeverisë Demokratike e dalë nga “revolucioni i përmbysjes me dhunë të diktaturës”, në lidhje me privatizimet dhe shkatërrimin e gjithë fabrikave, uzinave, kombinateve, ndërmarrjet artistike (të cilat mund të vazhdonin me eksportet, pasi kishin zënë vend në tregjet e huaja), duke e lënë vendin pa klasë punëtore, e cila u tret, sa në biznese familjare sa në emigracion. Sot ajo forcë politike ashtu sic është, kërkon Sindikata, që t’ja kundërvërë Qeverisë, por ato ajo i zhbëri me shkatërrimin e vendeve të punës së punëtorëve. Kjo forcë politike, në atë kohë, që shkatërroi gjithë asetet, i orientoi njerëzit drejt Spekulimit. Fitimit të parasë nga investimi i parave në fajde, kjo e fundit i shërbeu Hitlerit si justifikim për të nisur luftën i frymëzuar edhe nga NIETSCHE, duke e sharë “Çifutin me mjekër”, Marksin (i cili tregoi se si spekulohet duke fituar para nga paraja), për të shpikur sebepin e luftës mbi “Supremacinë rracore”.

Shqiptarët dhe këtu nën kuptohen edhe fshatarët, të cilë shitën dhitë dhe i futën paratë në firmat piramidale, të gjendur në konfuzion, humbën sigurinë për mbijetesën, të cilën e kishin në sistemin e Ekonomisë së Planifikuar”. Jeta duhet të ketë ekuilibër, të cilin mund ta krahasojme me një shkop, mesi i të cilit është i mbështetur në një pikë. Në se në anën e majtë vendosim pasigurinë, ekuilibri i shkopit prishet dhe ai, që të vijë në ekuilibër do sigurinë, e cila vjen duke punuar aq shumë sa ta sjellë atë në ekuilibër. Por cfarë bënë shumica e shqiptarëve?! Ata u vunë në kërkim të parasë së shumtë me çdo lloj mjeti, duke fituar aq shumë sa e tejkaluan masën në mënyrë të tillë, sa filluan të bëjnë jetë luksi, me shumë shtëpi, shumë makina, shumë prona, të gjitha të pajustifikuara.  Janë këta, që qajnë më së shumti.

Është ai DJALI ME FUORISTRADE dhe babai me dhi. Ata zotërojnë shumë prona dhe para, por u mugon STATUSI.

Kam lexuar një libër të shkruar nga një psichiatre e huaj, ku jep raste të klientëve të saj. Një djalë fshatar i ardhur në kryeqytet për të punuar dhe ndihmuar familjen e tij, i stabilizuar mirë, blen një biletë llotoje disa dhjetëra milionë euro dhe e fiton atë. Miqtë e tij e ndihmuan, për tu akomoduar në lagjen e të pasurve, me badiguardë, shoferë, kuzhinierë, shërbyesë etj. Djali u paraqit në klinikën psichiatrike. Dhe si gjithmonë terapia fillon me fëmijninë, të cilën djali e përshkroi me shumë gëzim, por sidomos erën e qepës së skuqur të nënës. Atë nuk mund ta harronte dot. Ai tregonte se, kur shkonte në resaurante me shumë yje qante, shkonte në vaskë qante, dilte në verandë qante …etj. Pse qan?! I thotë psichiatrja-më merr malli për erën e qepës së skuqur të nënës ja kthen i riu duke qarë me ngashërim. Psichiatria konstatoi: KONFLIKTI I PERKATESISE. Djali nuk dinte kush ishte dhe çfarë bënte.  Ky nuk është ekuilibër. Ky është disekuilibër. Shoqëria jonë është si një mur që lëkundet; një mur me tulla të thyera, ndërsa tullat e mira janë pothuajse periferike. Ky mur nuk mund të mbulohet me autostrada, ura, tunele, aeroporte a ku e di unë se çfarë. Njerëzit kanë humbur sensin e punës, dëgjojnë përditë histori korrupsioni në politikë, nuk ka edukim nga mediat, nga mësuesit, pedagogët. Mungon dija. Unë kam venë re me shqetësim se njerëz me diploma nuk kuptojnë shqipen e shkruar, ose nuk kanë nerva të lexojnë dy rrjeshta.

Këtë gjë qeveria e ”Përmbysjes së diktaturës” nuk jua tha shqiptarëve. Ajo ju tregoi atyre “Cekun e Bardhe”, para nga qielli dhe jo punë. Ajo ju tregonte “komunistët”, të cilët ishin të gjithë ata, që kritikonin qeverinë.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej