E keni parë pse është zhdukur Monika nga “Partia e Lirisë”, por edhe familjarët e saj? E gjitha ka vetëm një arsye, që nëse nisin arrestet, të mos ketë asnjë të PL-së në tavë.
SPAK po heton me intensitet një nga dosjet më klasike të financimeve okulte të një force politike me paratë e marrë nga financat publike.
Bëhet fjalë për skandalin ku është përfshirë vëllai i Monika Kryemadhit, Drini, i cili ka qenë i punësuar për një periudhë të gjatë nga koncesioni i kolaudimit të makinave SGS.
Në skemën që është zbuluar deri tani, një pjesë e së cilës është bërë publike, rezulton se paratë e marra nga një marrëdhënie okulte e koncensionarit me vëllain e ish-kryetares së LSI-së, kanë përfunduar në rrugë tangenciale pikërisht në arkat e partisë.
Ky rast është thuajse si dy pika uji me skandalin e madh të tanxhenteve që shpërtheu në Itali në vitet 90 dhe u hetua nga grupi i prokurorëve që drejtohej nga Antonio di Pietro.
Prokurorët e “Mani Pulite” zbuluan se partia e Betino Craxit merrte financime nga korporata të mëdha ekonomike, që përfitonin nga kontratat shtetërore që firmoseshin prej ministrave apo kryebashkiakëve të Craxit.
Kjo është skema më e lehtë për tu zbuluar nga prokurorët, pasi ngelin gjurmë të qarta të qarkullimit të parave.
Edhe në rastin e skandalit të SGS-së, tashmë është arritur të zbulohet qarkullimi i parave që koncensionari paguante si “gjobë” për marrjen e kontratës shtetërore në arkën e LSI-së.
Madje mësohet se familja Meta u prish për një kohë të gjatë me një drejtorin e DSHPRR, vëllain e deputetit të LSI-së.
Dyshimet janë se kjo prishje ka ndodhur për shkak se pagesat nuk janë derdhur në masën që priste “familja”.
Gjithsesi, kjo dosje, e cila shumë shpejt do të ketë pranga dhe të pandehur, duket se ka trembur mjaft Ilir Metën, i cili është detyruar të bëjë veprime të pakontrolluara.
Një nga këto është edhe shkrirja brenda 24 orëve e Lëvizjes Socialiste për Integrim, sapo ka lënë mandatin e Presidentit. Duke larguar kështu, edhe nga ana juridike përgjegjësitë e transaksioneve financiare që kanë ndodhur në të shkuarën.
Nëse vihet re me kujdes, Ilir Meta ka instaluar në “Partinë e Lirisë” thuajse të gjithë njerëzit që ka pasur në Presidencë, apo të rinj, duke larguar të gjithë personat që mund të jenë pjesë e hetimit të SGS.
Familja e Ilir Metës dyshon se pjesë nga stafi ku ka punuar vëllai i Monikës është bashkëpunëtor në dhënien e materialeve për SPAK. Ngaqë është arritur të gjendet në mënyrë precize se sa dhe ku kanë përfunduar të gjitha paratë. Sokol Dervishi ishte ministri i Transporteve i LSI-së pas largimit të Edmond Haxhinasos.
Dervishi, por edhe vartësit e tij, prej një viti nuk afrohen në LSI, përveç një periudhe kur Meta i kërkoi Kryemadhit që të thërrasë të gjithë, pikërisht kur u shpall se I.M do të garojë për kryetar bashkie të Tiranës. Në këtë thirrje, Meta donte të shikonte se kush i ka mbetur dhe kush është larguar.
Në fakt, në Konventën e Tiranës, të thirrur nga Kryemadhi që në maj erdhën të gjithë, por Meta sërish nuk i hoqi dyshimet. Madje i shtoi më shumë, pasi mendon se ish-njerëzit e tij kanë bërë lojë dyfishe. Haxhinasto, i cili tashmë ka një lidhje familjare me Nasip Naçon- deputet i PS-së, njeh edhe sekrete më të tmerrshme për Metën.
Ndaj ky i fundit vendosi që të bëjë “piazza pulita” në LSI, duke e shkrirë partinë dhe njerëzit e tij.
Lëvizja e Ilir Metës, nuk ka lidhje me një mundësi që ai të fitojë si kandidat për kryebashkiak të Tiranës. Këtë lojë po e bën thjesht për të sulmuar në momentin që hetimi për SGS bëhet zyrtar.
E keni parë pse është zhdukur Monika nga “Partia e Lirisë”, por edhe familjarët e saj? E gjitha ka vetëm një arsye, që nëse nisin arrestet, të mos ketë asnjë të PL-së në tavë./Pamfleti