Stoltenberg pret Osmanin dhe jep ultimatum të prerë: Mos ndërmerrni asnjë hap në Veri pa u konsultuar me KFOR-in

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar ditën e sotme në selinë e NATO-s me Sekretarin e Përgjithshëm të aleacës, Jens Stoltenberg, ku në thelb të takimit ka qenë situata në Veri.

Në një konferencë të përbashkët për mediat, kreu i NATO-s, deklaroi se për aleancën veri-atlantike është thelbësore që të shmanget përshkallëzimi i mëtejshëm në veri të Kosovës.

Gjithashtu ai dënoi edhe dhunën e ushtruar nga serbët në veri, ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, duke i quajtur veprimet e tyre si të papranueshme. Ai tha se stabiliteti i rajonit varet nga të gjitha palët, teksa shtoi se NATO është plotësisht e angazhuar për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në veri.

“Ka rëndësi prezenca e KFOR-it në Kosovë. Trupat tanë të KFOR-it janë sulmuar këtë vit duke lënë 93 prej tyre të lënduar, disa në masë serioze, kjo është plotësisht e papranueshme, stabiliteti i rajonit dhe siguria e trupave të KFOR-it varen nga të gjitha palët që i respektojnë betimet ekzistuese. NATO-ja e konsideron këtë të ketë rëndësinë më të lartë dhe kërkon këto të respektohen. Në përputhje me zotimet e Prishtinës nga viti 2013, çdo lloj zbarkimi i FSK-së kërkon pajtimin e KFOR-it dhe presim konsultime me kohë dhe kuptimplotë në çfarëdo lloj zbarkimi që mund të ndikojë në siguri. Për situatën e fundit në veri të Kosovës NATO ka zbarkuar qindra trupa dhe vazhdojmë ta monitorojmë situatën për të përmbushur mandatin tonë të OKB-së, për të ruajtur një mjedis të rregullt dhe liri të lëvizjes të të gjitha komuniteteve në Kosovë”, ka thënë Stoltenberg.

Ndër të tjera kreu i NATO-s e vuri theksin tek takimin Kurti-Vuçiç në Bruksel javën e ardhshme, ai deklaroi se ky takim “është mundësi për Kosovën që të demonstrojë se është palë e përgjegjshme që vepron në mënyrë konstruktive në dobi të sigurisë euroatlantike”. Ai ka inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që t’u përmbahen zotimeve të tyre.

Ne mirëpresim hapat e fundit të Prishtinës që janë ndërmarrë për të ulur tensionet, përfshirë zvogëlimin e numrit të forcave dhe planet për zgjedhje. Është esenciale të anashkalohen çfarëdo lloj eskalimi të mëtejme. I inkurajojmë të dyja palët të veprojnë sipas zotimeve të tyre”, përfundoi Stoltenberg.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Osmani theksoi se Kosova është në përputhje të plotë me çdo vendim të politikës së jashtme dhe sigurisë të NATO-s dhe BE-së.

Ajo nënvizoi se është Serbia ajo e cila merr mbështetje nga Bashkimi Evropian, por politika e jashtme e saj nuk përputhet me Perëndimin.

Kosova është në përputhje të plotë me çdo vendim të politikës së jashtme dhe sigurisë me BE-në e NATO-n. Besoj që është shumë e qartë se kush janë partnerët e komunitetit euro-atlantik në rajonin tonë, por jemi të vetëdijshëm që përafrimi i Serbisë me Perëndimin është në interes të të gjithë neve”, tha Osmani.

Gjithashtu Osmani kërkoi që pala serbe të bëjë detyrat e shtëpisë përpara se të marrë fondet e mbështetjes së BE-së.

Serbia duhet të bëjë së paku disa detyra shtëpie, përpara se ta merr atë mbështetje që po e merr aktualisht sepse fondet e BE-së duhet të shkojnë krah për krah me vlerat e BE-së dhe kjo nuk po ndodh aktualisht”, tha ajo.

Kujtojmë se presidentja Osmani do të ketë dhe takime të tjera në selinë e NATO-s, përfshirë me shefin e komitetit ushtarak të NATO-s, admiralin Rob Bauer. E para e shtetit po ashtu do të takohet me shefen e misionit të Shteteve të Bashkuara në NATO, Julianne Smith dhe me përfaqësues të shteteve të tjera anëtare të aleancës ushtarake perëndimore.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lexo mË tej