“Sytë” e Moskës në Shqipëri, Yuri Kim paralajmëron se SHBA është gati të ndërhyjë në çdo rast rreziku për Tiranën, dy “bishat” amerikane fluturojnë mbi sheshin “Skënderbej”

Në Shqipëri ka plasur së fundmi “lufta” me spiunë rusë e serbë. Nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë gati të ndërhyjnë për Tiranën në çdo rast rreziku.  Nuk është sekret që Ballkani Perëndimor ka qenë prej kohësh një skenë e rëndësishme për shërbimet e sigurisë së Kremlinit.

Megjithëse Rusia nuk ka trupa në terren, ajo ka zhvilluar një luftë kundër Perëndimit dhe ndikimit të tij në Ballkan me mjete të tjera, që nga propaganda dhe dezinformimi deri tek ndihma për grupet nacionaliste, të djathtën ekstreme, e deri tek vrasjet e synuara. Situata është tensionuar dhe më shumë në Shqipëri, pasi lufta e Vladimir Putinit në Ukrainë mund të përshkallëzohet dhe Ballkani mund të përdoret  si front i dytë i Moskës për të shmangur vëmendjen nga Ukraina. Por ditën e djeshme SHBA i ka treguar “muskujt” Rusisë se një vend aleat i NATO nuk mund të preket.

Dy avionë amerikanë B52 kryen fluturime në lartësi të ulëta mbi Tiranë . Avionët fluturuan mbi sheshin “Skënderbej” nga ora 14:45-15:00, duke dhuruar spektakël për të pranishmit. Kjo ishte një mundësi unike për qytetarët e Tiranës për të parë fluturimin e dy avionëve. Në sheshin “Skënderbej” e pranishme mes qytetarëve të shumtë ishte edhe ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim. Ky fluturim i avionëve amerikanë B-52 u krye në nder të 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, përfshirë edhe marrëdhëniet si aleate dhe partnere në NATO. Aeroplanët B-52, për më shumë se 60 vjet kanë qenë themeli i forcës së bombarduesve strategjikë të Shteteve të Bashkuara.

Vijat e kuqe të hequra nga Yuri Kim

SHBA është gati për çdo skenar destabiliteti për Shqipërinë. Ambasadorja e SHBA Yuri Kim, shkruan për fluturimin e dy avionëve bombardues amerikanë dhe vë në dukje rëndësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve.  “Jemi shumë të lumtur që jemi këtu, në mes të Tiranës, në mes të Shqipërisë për fluturimin historik të dy avionëve bombardues B52. Ashtu siç të gjithë e dinë, ata janë avionët më të mëdhenj të ushtrisë amerikane dhe po kryejnë një stërvitje duke fluturuar mbi rajon, përfshirë edhe Shqipërinë, por jo vetëm Shqipërinë. Po fluturojnë edhe në vende të tjera.

Kjo duhet ta bëjë shumë të qartë që për Shtetet e Bashkuara, marrëdhënia jonë në fushën e mbrojtjes, aleanca jonë me Shqipërinë, është jashtëzakonisht e rëndësishme. Ne qëndrojmë gjithmonë krah aleates sonë të NATO-s. Tani, më pas, gjithmonë! Nuk duhet të ketë asnjë dyshim për këtë! Dhe jam shumë e kënaqur që jam këtu me Shefin e Shtabit tuaj. E di që ka pasur disa incidente kohët e fundit, por ne jemi me ju deri në fund. Dhe presim të shohim përfundimet e hetimit dhe vënien përpara drejtësisë të atyre që janë përgjegjës”, shkruan ambasadorja e SHBA Yuri Kim.

Dislokohen zyrtarisht në Shqipëri forcat speciale amerikane

Sinjalet se amerikanët po ofrojnë siguri të plotë për Shqipërinë nga çdo sulm, janë dhënë edhe pak ditë më parë, ku zyrtarisht mbërritën në Shqipëri Brigada e Asistencës së Forcave të Sigurisë së SHBA. Ata do të qëndrojnë në vendin tonë për një periudhë kohe 6 mujore. Kjo lëvizje dhe mbështetje e hapur, tregon qartë se SHBA-të janë të vendosura dhe të angazhuara për të ndihmuar Shqipërinë që të vazhdojë të përmbushë objektivat e saj të NATO-s në aftësi dhe kontributin në mbrojtjen e Aleancës, por edhe një tregim “muskujsh” ndaj Moskës dhe Beogradit, pasi në rast se këto vend kërkojnë të destabilizojnë Ballkani, forcat speciale amerikane do të ndërhyjnë menjëherë.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej