Taksonomia e oligarkëve dhe liria e medies në Shqipëri

 Nga Ilir Yzeiri

U bënë disa muaj që para opinionit publik parakalojnë sulme, sharje dhe akuza ndaj institucioneve shtetërore nga grupi mediatik i Irfan Hysenbelliut për shkak se këtij të fundit i janë zbuluar nga organet ligjzbatuese shifra alarmante të evazionit fiskal. E nisi këtë punë në fillim Dogana Shqiptare e cila zbuloi se «Birra Tirana» kishte bërë një evazion fiskal prej 230 milion lekësh. Drejtori i saj, zoti Genti Gazheli u vu në shenjë të medieve të Hysenbelliut dhe krahas tij një numër tjetër personash akuzoheshin për gjëra të qena e të paqena. Zoti Gazheli iu përgjigj me shumë dinjitet këtyre sulmeve dhe nuk u tërhoq asnjë fije. Në po ato ditë, institucione të tjera paralele tregonin se doganat shqiptare kishin arritur shifra të ardhurash si asnjë herë tjetër gjatë këtyre viteve të tranzicionit.

Këto ditë, në zonën e Golemit, IKMT-ja po prish ndërtimet pa leje të bizneseve të po këtij personi, pra të Irfan Hysenbelliut dhe mediet e tij janë të gjitha në shërbim të një të dyshuari për shkelje të ligjeve dhe për evazion fiskal në shifra marramendëse.

Secili është i lirë ta lexojë këtë narrativë si të dojë. Vetëm se një gjë dua ta theksoj me forcë. Prej shumë vjetësh disa shoqata dhe individë të frymëzuar nga logorreja e Berishës dhe Metës kanë krijuar stereotipinë e oligarkëve në këtë vend dhe të lidhjes së tyre me pushtetin. Sipas kësaj klisheje, të gjithë ata që po ndërtojnë në këtë vend dhe mes tyre spikat «Kastrati grup » janë oligarkë që mbështeten nga Rama dhe automatikisht të kriminalizuar. Ndërkaq, ato shoqata që nuk i njeh askush dhe që nuk kanë asnjë zë të dallueshëm në opinionin publik dhe të lidhura me njëqind fije me donatorë të ndryshëm, kanë prodhuar një stereotipi tjetër.

Sipas kësaj stereotipie Rama po dhunon gazetarët dhe medien e lirë në këtë vend. Kur vjen puna për të dhënë shembujt për këtë dhunim të përmendin batutat e Ramës. Ndërsa tani që një pronar mediesh ka vënë të gjithë mediet e tij në shërbim të një kauze jo të drejtë dhe me medien që ka krijuar ka shpallur se nuk njeh asnjë normë etike, tani të gjithë heshtin dhe asnjë prej shoqatave që furnizojnë institucionet me dhunën e kryeministrit mbi medien nuk i kemi parë të prononcohen.

Natyrisht që mediet kanë politikë editoriale dhe në asnjë rast ato nuk mund të jenë të paanshme. Pronarët e medieve si zoti Irfan Hysenbelliu kanë një meritë të jashtëzakonshme për investimin që kanë bërë në këtë fushë dhe për ndihmesën që kanë dhënë në këtë sektor. Mirëpo dinjiteti i një botuesi qëndron në distancën nga mediet e tij dhe nga mospërdorimi i tyre për problemet që ai mund të ketë me shtetin. Mendoni se çfarë mund të kishte ndodhur me mediet e Berluskonit sikur ato në edicionet e tyre të lajmeve apo në narrativën e tyre mediatike të ishin marrë me sulmet ndaj atyre që e akuzojnë Berluskonin për njmijë e një të zeza. Krejtësisht e kundërta ndodh ndonjë herë. Emisioni starik « Striscia la notizia » i Kanalit 5 figurën që tall më shumë ka Berluskonin.

Nëse do të kishim një situatë tjetër, pra nëse qeveria sulmon me të padrejtë një biznesmen dhe mbron të tjerë nga evazioni fiskal, ato medie që drejton Irfan Hysenbelliu mund të kishin bërë investigime dhe të na tregonin si qëndron e vërteta, ashtu sikundër edhe ato organizata që kanë krijuar narrativën që qeveria dhunon mediet, mund të ishin interesuar e të tregonin si qëndron e vërteta. Në Shqipëri me fondet e BE-së e të donatorëve të tjerë ka medie investigative që tregojnë çdo detaj ekonomik dhe analizojnë çdo investim apo shkelje që bëhet nga qeveria dhe institucionet e saj. Si ka mundësi që nuk thonë asnjë fjalë për këtë evazion galopant për të cilin akuzohet Irfan Hysenbelliu.

Liria e medies në Shqipëri nuk ka qenë asnjëherë e rrezikuar nga qeveria socialiste. Kurrë! Liria e medies në Shqipëri rrezikohet nga pushteti okult që kanë pronarë të medieve dhe nga guximi që ata kanë për ta përdorur atë për interesat e tyre. Pastaj nëse analizon përdorimin kriminal me shpifje e sharje që i bëjnë medieve Sali Berisha dhe Ilir Meta do të duhet të hapësh një kapitull tjetër. Gjithnjë e më shumë, për fat të keq, opinioni po ndahet mes atyre që besojnë se ka ende shpresë për të shpëtuar dinjitetin e medieve dhe atyre që janë rreshtuar më të keqen e madhe që ka pllakosur këtë vend dhe që përbëhet nga shkelësit e ligjit dhe të rregullave të bashkëjetesës me ligj. Ajo që po ndodh me Hysenbelliun është vetëm një pjesë e së vërtetës.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej