Të fshehtat malinje të sulmit të Ramës ndaj Irfan Hysenbelliut

Përplasja e qeverisë me një nga manjatët kryesorë në Shqipëri solli një debat jo shumë produktiv mbi atë se kush ka të drejtë në këtë mes, dhe a është viktimë e qeverisë Irfan Hysenbelliu.

Por në prapaskenë, ky provokacion malinj i Bablokut, fsheh një lëvizje që ai e bën prej kohësh me operatorë të biznesit, që gjithë këto vite i kanë përdorur mediat e tyre si instrumente pasurimi.

Nuk ka asnjë problem nëse një media është e fuqishme ekonomikisht dhe pas saj qëndron një operator i konsoliduar; i cili vepron në fushën e tregtisë apo industrisë. Shembulli më i njohur i këtij modeli në Shqipëri është rasti i Tanit të Topit, me të mirat e të këqijat e tij. Ai arriti që me fondet që zotëronte si sipërmarrës të ndërtonte një media televizive, e cila realisht kreu një revolucion në fushën mediatike në vend.

Një media duhet të jetë e pasur që të arrijë të bëjë investimet e duhura në teknologji, apo edhe në burimet njerëzore çka është më e rëndësishmja. Por ajo nuk ka sesi të jetë instrument fitimi, përveçse duhet të sigurojë mbajtjen në këmbë nëpërmjet mekanizmave që ekzistojnë në treg si reklamat apo edhe shitjet e produkeve që media prodhon.

Ne kemi shembuj që manjatë të mëdhenj të kapitalit si Jef Bezos i Amazon ka blerë së fundmi mediat e Washington Post, por që nuk ka ndikuar fare në politikat redaksionale e së përditshmes prestigjoze amerikane.

Mirëpo Irfan Hysenbelliu, siç shumë të tjerë “kolegë” të tij xhanëm, i kanë përdorur mediat si një armë shtesë të biznesit të tyre. E kështu kanë hyrë në një qerthull lehtësisht të shantazhueshëm. Sot Irfani, kur i prishën murin e Pishinës po kërkon njerëz që të shprehen në mbrojtje të tij, çka është një spektakël mjaft i pështirë ngaqë nuk ka pikë lidhje me mediat e të drejtat e saj.

Por përse Edi Rama e sulmoi sot Irfanin, kur ai i kishte të gjitha gjërat me probleme, madje edhe më të mëdha se muri i pishinës. Kemi dy vjet që publikojmë sagën e vrimës së zezë te Birra Tirana, ku Irfani është shef i madh, e askush nga qeveria nuk e luajti gishtin, përveçse tani.

Muri i famshëm i pishinës që po mban 24 orë në 7 ditë transmetimet e mediave të Fanes ishte ndërtuar shumë herët, po Rama nuk e luajti gishtin. Madje, edhe këtu ka të drejtë Fania, bashkë me Taulant Ballën ka ngrënë dreka e darka pa fund, duke pozuar me manjatin që kërcënonte drejtorë e ministra, ngaqë e ka shok Lalin e Taon e Librazhdit. Ai mori drejtor edhe figurën tragjikomike të medias e politikës, Alfred Pezën, me shpresë që ta përdorte si lobues në qeveri.

Por Edi Rama, të gjitha këto lëvizje të Fanes i mori si dobësi të tij dhe nisi ta sulmojë egërsisht, pasi kërkon që të lëshojë një mesazh të fortë për të gjithë të tjerët. Pikërisht tani kur priten të nisë operacionet e mëdha të SPAK-ut për PPP-të; nga shëndetësia te inceneratorët. Rama, me një malinjitet diabolik, kërkon ta ndajë Fanen nga Likja, për të cilin ka zëra se ai është aksioner në të gjitha bizneset e tij.

Pra Rama kërkonte që të provokonte edhe Fanen, edhe mediat e tjera nga ana tjetër, por edhe Ilir Metën me Berishën bashkë që t’i fuste në këtë qerthull për të mbrojtur pishinën e manjatit nga Skrapari, që karrierën e ka nisur si kapter pasaportash në ministrinë e Brendshme.

Rama, të gjitha këto lojrat me mediat nuk i ka të reja, i ka bërë gjithmonë. Si me Frangajn, me Lesin, me Koçon, Fanen vetë e me mjaft botues- ndërtues të tjerë. Të cilët janë në një pjesë të mirë edhe klientë të qeverisë në tenderë publikë.

E ky është modeli realisht i dështuar i menaxhimit të mediave, që tani po e shikojnë me sytë e tyre se nuk i vlen për asgjë. Po si t’ja bëjnë? Thjesht të investojnë, e tua lënë mediat profesionistëve, le të rriten apo të ulen nga audienca dhe jo nga dëshirat e pushtetit. Po të largohen nga mediat, siç bën Bezos me Washington Post, do t’u rritet fuqia edhe më tepër. Në rastin e Bezos, ai nuk ka punë me gazetarët e drejtuesit e Post-it, ai e mban atë media si një relike të çmuar në zyrën e tij për t’i dhënë prestigj. Natyrisht çdo ulje –ngritje e Post-it do të ndikojë në imazhin dhe portofolin e Bezos, ndaj kujdeset shumë për të.

Kurse Fanja i ka degdisur gazetarët prej një jave te Mali i Robit për të raportuar pa lidhje për pishinën, duke e kthyer kështu televizionin e tij nga ekran informativ, në një vend ku raportohet vetëm për një subjekt të caktuar. Ky imazh nuk rritet më, e dëmi që i ka shkaktuar Fanja medias së tij është shumë i madh, pasi përveç se ka rënë në lojën e Ramës, ka dëmtuar interesat e një komuniteti që duhet të jetë pushtet në Shqipëri.

Ka bërë pak a shumë atë që Andi Bushati dikur bënte shaka me Nikollë Lesin: E di pse ka harruar Niko të ndërtojë banjo te pallati i vet? Se e bën në gazetë! Natyrisht kjo ishte një shaka e Bushatit, por për Fanen nuk është barsaletë më. Ai e bëri atë të trashën në mediat e tij, madje edhe në tregun mediatik shqiptar…/Pamfleti   

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej