Të panjohurat e betejës politike Meta-Berisha

Nga Ylli Pata

Kurioziteti apo debati që po merr “aventura” politike e Sali Berishës dhe Ilir Metës ka dy arsye kryesore.

E para është se ky angazhim nuk vjen në mënyrë natyrale, por ka një enturazh të gjerë që e nxit dhe e mban në lojë, dhe e dyta është kurioziteti që vjen natyrshëm pasi kemi të bëjmë me një “aventurë” të sforcuar.

Në çdo vend të botës, askush nuk do të vinte bast për kuaj që i kanë kaluar të gjitha fazat, apo adrenalinat e karrierës. I kanë pasur të gjitha pushtetet, të cilat natyrisht janë sprovë e madhe për protagonistët e saj.

Pushteti si një nga “narkotikët” më të fuqishëm, padyshim që krijon varësinë e tij, por bashkë me të, jep edhe pasojat që sjell një abuzim apo overdozë me të.

E në këtë aspekt, thuajse e gjithë shoqëria duket në një tallaz të rënduar mjegulle dalldie, ku arsyeja ka ikur “për lana”. Nuk bëhet fjalë në ambientin e përditshëm apo shoqëri, pasi tek ne nuk ka fare as përfaqësim, por as një survejim intensiv të vibrimeve që vijnë nga shoqëria. Gjithçka lidhet nga ngjarjet momentale, dramat, tragjeditë, apo edhe sinjalet që lëshojnë të varurit nga pushteti nëpër studio televizive. Sinjale që natyrisht nuk vijnë nga zhvillimet e ditës, por nga shqetësimet e natës së pagjumë të pacientëve që janë nën overdozën e abuzimit me pushtetin.

E në të gjithë këtë persiatje, që në përgjithësi e dëgjon nga kushdo shqiptar majtas e djathtas apo në qendër, na bie që të analizojmë se si lëvizin, do të lëvizin, apo përsetë e lëvizjes së njerëzve që pushteti u ka ardhur në majë të hundës, e nuk dinë ta përcjellin atë në celula të reja përfaqësuese.

Atëherë: çfarë kërkon nga politika Sali Berisha? Me ndëshkimet e rënda ndërkombëtare që ka marrë, pas një “largimi” 10 vjeçar nga drejtimi i PD-së, askush nuk mendon se do të vijë sërish në krye të qeverisë. Edhe njeriu që politikë konsumon pak, mendon se Berisha nuk po lufton për bashin e vendit, por një qoshe të tijën, qoftë edhe nga inati se e kanë sulmuar.

Sali Berisha, pas arritjes së suksesshme duhet thënë, të mënjanimit të Lulzim Bashës nga kreu i PD-së, kishte të gjitha mundësitë të bashkonte Partinë Demokratike. Këtë, duke bërë edhe vetë hapa as siç bëri Basha dhe të krijohej një supstrakt udhëheqësish të rinj, që do ta drejtonin e menaxhonin opozitën shqiptare pa Sali Berishën e Lulzim Bashën.

Berisha, preferoi të marrë vetë drejtimin e partisë, duke paguar haraçin e braktisjes jo vetëm të ithtarëve të Bashës, jo vetëm të atyre demokratëve që morën frymë lehtësisht kur Basha përjashtoi doktorin, por edhe të atyre që e mbështetën Berishën, por ky i fundit, nuk i afroi në subjektin e tij politik.

E ku përveç këtij përjashtimi, po ndodh jo me zhurmë një luftë me lobin e Belind Këlliçit, i cili natyrisht nuk do që karriera e tij logjikisht në ngritje të shërbejë për të ricikluar të “pacientët e klinikës toksilogjogjike të pushtetit të gjatë.

Sali Berisha, duket qartë se kërkon të mbajë Shkodrën, të cilën do ta mësyjë edhe njëherë me Bardh Spahinë vitin e ardhshëm për të marrë Bashkinë, e natyrisht qarkun e Kukësit, e ndoshta edhe Kurbinin e Kamzën.

Por, më 6 mars, Ilir Meta ishte determinant në këtë rezultat të doktorit në Shkodër. Spahia, nuk do ta merrte kreun e bashkisë pa një përkrahje thuajse totale të sinergjive të LSI-së në bashkinë Shkodër. Por që prej instalimit të kryetarit të ri të bashkisë, LSI-ja nuk përfitoi asgjë nga pushteti që e votoi thuajse me të njëjtin numër votash që kishte aleati tjetër i “Shtëpisë së Lirisë”.

Ndërkaq, Ilir Meta, i cili e fshiu LSI brenda ditës, kërkon pikërisht të marrë kryet e vendit të “Shtëpisë së Lirisë” me “Partinë e tij të Lirisë”.

Gjërat kanë ndryshuar shumë që nga pakti Berisha-Meta i 18 majit 2007, kur me një të rënë të telefonit LSI mori gati 200 mijë vota plus në zgjedhje nga bastionet e demokratëve radikalë.

Më 6 mars, ishte Ilir Meta, që i ofroi Sali Berishës një ‘strategji daljeje” nga qerthulli pa krye që e kishte vënë aventura e çartur e 8 janarit me leva e qysqi në selinë e PD-së.

Po siç thonë italianët që “tempo e galantuomo”, edhe në këtë rast, gjërat ndryshojnë me një shpejtësi marramendëse.

Kapacitetet politike të Metës dhe Berishës, edhe nga mbështetësit më të fortë të tyre, nuk konsiderohen si alternativë të Edi Ramës, por maksimumi minues apo shkatërrues të pushtetit të tij. Në një mënyrë apo tjetër, në një lojë apo tjetër, në një rast dramatik që e sjell koha, apo tjetër.

Pra të gjithë jemi në një qerthull, ku eventet përcaktohen nga inatet, paranojat, mllefet e pushtetit të humbur, apo konvulsionet e varësisë e maktheve që pushteti i gjatë ka sjellë gjithmonë në historinë e njerëzimit.

Por drama aktuale nuk janë makthet apo vizionet që kanë këta protagonistë surrealë të realitetit tonë, por që nuk kemi një Shekspir që të shkruajë një “Makbeth 2” apo një sekuelë të “Mbretit Lir” që të ushqejë si dikur mendjet e shpirtrat e njerëzve siç ka ndodhur me historinë botërore.

Deri tani, në fushë kanë hyrë ose “mitologë” më shumë konstatues sesa krijues, që na sollën një vit më parë analet e legjendave të vjetra të ciklopëve. E kjo natyrshëm pasi kur historia përsëritet, nuk arrin as nivelin e komedisë, por është thjesht një farsë…

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej