Ajo çfarë Edi Rama ka kuptuar më mirë se asgjë tjetër në këto 10 vjet qeverisje, është se si ta manipulojë e pastaj ta tallë sa të dojë, opinionin publik. Për këtë të fundit, duhet thënë se është mjeshtër. Siç, me forcën e propagandës dhe formulave diabolike të pushtetit ka arritur një aftësi të jashtëzakonshme që, të vërtetat e dhimbshme të dëmeve që u ka bërë shqiptarëve dhe që nuk i fsheh dot, ti kthejë në meme e gallatë.
Le ti marrim me radhë:
– Një këngë tallava. Po, po, kolona zanore e fushatës së Edi Ramës që kërkon të marrë pushtetin vendor, është një këngë tallava. Zero impenjim, zero fantazi, zero seriozitet dhe si për të thënë se tanimë nuk ia ndjen se çfarë bëjnë e si do të votojnë shqiptarët. Rama u dha mesazhin se kështu e sheh popullin e vet: jepu tallava, do të harrojnë që s’kanë bukë për të ngrënë dhe do të ngrihen të kërcejnë.
Parashikim i saktë: të gjithë u morën me tallavanë, pakkush me të vërtetën që ky pushtet e ka bjerrur kaq shumë kryeministrin dhe kryetarin e partisë sa tani mund të tallet edhe hapur…
Mbaruam nga mbrapa, tani përpara. Rrjeti u mbush me MEME dhe kjo me siguri që do ta ketë lumturuar arkitektin e gjithë kësaj shëmtie.
Sepse tek e fundit ky ka qenë qëllimi i tij. Kjo lojë fjalësh që në zhargonin e rrugës nënkupton shumëçka u interpretua vetëm me MEME. Njerëzit e zunë veten kaq shumë me këtë gjë sa askush ose pakkush shkoi pak më thellë për të menduar që ky pushtet në fakt nuk heq dorë nga ligësitë, para edhe mbrapa.
Edi Rama u mundua ta interpretonte këtë duke nënkuptuar Sali Berishën dhe Ilir Metën, por për ata që duan ta lexojnë, mund ta kuptojnë fort mirë se ata ende mbeten makthi më i madh i kryeministrit.
Opozita Shqiptare është katandisur si mos më keq, si kurrë më parë, ama Rama nuk merret me ata që njeh zyrtarisht: Opozitën e Alibeajt me më pak se 20 deputetë, me vulë, por pa anëtarë e kandidatë. Sado që ka punuar fort për t’ia arritur kësaj dite, Edi Rama sërish sloganin ia kushton Berishës. Edi Rama komisionerët ia jep Alibeajt ama frikën ia ka Berishës dhe elektoratit të vet.
Pemë për fushatë, beton për ushqim. Kjo historia e mbjelljes së pemëve e ka kaluar cakun e arrogancës. Edi Rama tallet fort me shqiptarët, por edhe të vetëve u bën cirk. Të rreshtuar me urdhër në formë rrethi dhe me lopata në duar, mbjellja e pemëve ishte pjesa me e shëmtuar e kësaj fushate. Po mbjell pemë kush? Edi Rama me Erjon Velinë në krah? Me këtë që gjithë bota e qytetëruar e akuzon se pastron paratë e mafies nëpërmjet industrisë së ndërtimit? Me këtë Djall që nuk ka lënë asnjë metër katror pa mbushur me beton në kryeqytet? Më këtë njeri që të vret natën dhe të qan ditën? Me kë po mbjell pemë Edi Rama? Me kryetaren e bashkisë Durrës?
Qytetit që i shkuli rrënjët historike dhe ia ktheu në beton? Qytetit me udhëheqjen lokale për të korruptuar në botë që i shiti çdo centimetër katror? Ku po mbillen këto pemë? Në qytetet ku nuk ka më asnjë copë tokë të lirë në Vlorë, Sarandë, det dhe mal?
Për të fshehur bilancin negativ të 10 vjetëve në pushtet, Edi Rama është gjendur aq ngushtë sa nuk di çfarë të bëjë më, veçse të pjellë të tilla shfaqje që në thelb nuk bëjnë asgjë veçse e nxjerrin zbuluar. Në hapjen e kësaj fushate ku kërkon të marrë pushtetin vendor, Edi Rama u soll si krimineli që natën ta fut plumbin në ballë dhe në mëngjes del e thërret “kapni vrasësin”. Kjo nuk është hera e parë dhe nëse ky njeri nuk ndalet nga Shqiptarët, shumë shpejt të njëjtin spektakël do ta bëjë me biznesin, demokracinë dhe në fund, në nivel personal, me çdo individ që ende jeton në këtë vend. /Pamfleti