Ish kryeministri Sali Berisha në një konferencë për mediat ditën e sotme ka kontestuar sërish rezultatet e zgjedhjeve lokale të 14 Majit.
Ish-kryeministri tha se në këto zgjedhje mbizotëroi blerja e votave dhe mungesa e komisionerëve dhe numëruesve të “Bashkë Fitojmë”.
Sipas tij, ky ishte një akt tjetër pabarazie.
“Farsa zgjedhore 2023 si farsa elektorale më e shëmtuar e Shqipërisë dhe europës po kundërmon çdo ditë e më shumë. Me këtë rast unë vlerësoj raportin e OSBE-ODHIR të autoriteteve lokale rajonale dhe deklaratën e përfaqësues të Parlamentit Europian të cilët dëshmuan se zgjedhësit shqiptarë votuan nën presion dhe jo të lirë.
Kjo është kryefjala e këtyre zgjedhjeve, ku me presione të të gjitha llojeve Edi Rama ndryshoi në mënyrë antikushtetuese, antiligjore vullnetin e shqiptarëve, ndryshoi rezultatin e votimit.Raporti paraprak, ndonëse është paraprak dhe jo përfundimtar vë gishtin në problemet më madhore të këtyre zgjedhjeve duke filluar nga makineria shtetërore elektorale, si një përbindësh shkatërrimtar i procesit zgjedhor, si një akt që përmbys pabarazinë më të madhe në procesin zgjedhor, ndalet në të gjitha format anti-ligjore të ndërhyrjes në vullnetin e shqiptarëve nga qeveria, nënvizon blerjen masive të votës, gjer edhe presionet e tjera të administratës mafioze, më e pranishme se kurrë në qendrat e votimit dhe procesin e votimit.Përpjekjet për të shkëputur ndonjë gjysme frazë nga përfaqësuesit më të nderuar të institucioneve prestigjioze në BE, OSB-ODHIR dhe Parlamentit Europian, siç e patë vetë ata refuzuan të nxjerrin nga goja çdo cilësor që iu kërkua nga mediat e Ramës për ta tundur si flamur të këtyre zgjedhjeve më të manipuluarat, më të rrënuarat ndonjëherë në historinë e Shqipërisë”, tha Berisha.
Humbjen e thellë në këto zgjedhje Berisha ia faturoi Edi Ramës, sipas të cilit ai ka manipuluar rezultatin sëbashku me Tom Doshin, që bleu votat.
“Në këtë kontekst, populli opozitar pa në dritën e diellit, përpjekjen e narkoshtetit për pjesmarrjen në zgjedhje. Ajo jo vetëm i konfiskoi vulën jo vetëm e privoi nga të gjitha fondet që i takonin por kaloi në aktin më absurd të mohimit të drejtës së koalicionit për të zgjedhur kryetarin, nuk lejoi rregjistrimin. Aleancë krimi, në nivel nëntokësor, u demonstrua si kurrë ndonëherë në historinë e vendit. Trinomi Rama-Doshi-Brava ishte shëmtia më e madhe me veprimet e tyre në këtë proces zgjedhor.”, tha Berisha