Disa vite më parë në Shqipëri, nisi trendi i zbulimit të tradhtive përmes punësimit të detektivëve privatë që i ndiqnin partnerët dhe më pas dorëzonin dosjen me “prova” tek klienti.
Por nëse mendoni se punësimi i detektivëve privatë ne vendin tonë ka rritur numrin e divorceve, kjo nuk ka ndodhur dhe këtë e konfirmon Ndue Pjetra, detektiv dhe avokat në Tiranë.
Duke folur për Top Channel, ai tha se nuk është zbehur fenomeni i tradhtisë bashkëshortore, por ka rënë fluksi i kërkesave për t’i zbuluara ato.
“Tradhtitë janë shtuar, por kanë rënë kërkesat, pasi nuk ka patur ndonjë rezultat”.
Prej 7 vjetësh në vendin tonë funksionon profesioni i detektivit privat. Deri tani janë licencuar prej 2 agjencive që operojnë në Shqipëri, 160 Sherlok Holms-a shqiptarë.
“Në 2015, ‘16 dhe ‘17 patëm një boom kërkesash për zbulimin e tradhtive bashkëshortore. Tashmë ka ndryshuar, kërkesat më të mëdha janë për vjedhjet e makinave, të shtëpive dhe aksidentet automobilistike. Ajo që them me bindje është se nuk është zbehur fenomeni i tradhtisë bashkëshortore, por ka rënë fluksi I kërkesave. Tradhtitë janë shtuar, por kanë rënë kërkesat, pasi nuk ka patur ndonjë rezultat. Pothuaj të gjitha tradhtitë bashkëshortore që janë zbuluar atëherë, janë të gjithë bashkë sot. Gati 90% e tyre janë bashkë, pavarësisht që verifikuan dhe provuan tradhtinë. Pra thjesht harxhuan paratë, paguan detektivin dhe kaq.
Po ju tregoj rastin e një gruaje që e dinte se i shoqi e tradhtonte. Punësoi për pak orë një detektiv. I shoqi pas festës ikën më të dashurën në hotel. E shoqja I thotë recepsionistes së hotelit që t’i thoshte vajzës që ishte në dhomë, se e kërkonte motra, pasi i kishte ndodhur një fatkeqësi. Sapo hapet dera gruaja gjendet përballë burrit dhe të dashurës. Kaq doja, tha dhe iku.
Edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut ku ne kemi detektivë, na rezulton se kërkesat më të mëdha janë për tradhtitë bashkëshortore dhe verifikime të tipit: Djali punëson detektiv, pasi i dërgon 2000 euro në muaj të fejuarës dhe nuk e di me kë i shpenzon ajo.
Një detektivi i kushton 30 euro ora. Ndjekja më e gjatë që është bërë është 7 deri në 11 ditë. Kaq është është raporti. Personi që tradhton në një çift, brenda 7 deri në 11 ditë takohet me se s’bën më të dashurin ose të dashurën.”– tha Ndue Pjetra, detektiv dhe avokat.