Tryeza në Bruksel me Serbinë pa asnjë rezultat, përfaqësuesi Special i SHBA-së zbarkon në Kosovë; çfarë pritet të ndodhë

Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar do të vizitojë sot Kosovën.

Escobar vjen në Kosovë vetëm pak ditë pas takimit të kryeministri Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Bruksel, të ndërmjetësuar nga BE.

Gjatë ditës së sotme Escobar do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, por edhe me kryeministrin Kurti.

I dërguari amerikan në mbrëmje pritet të takohet edhe me përfaqësues të opozitës, të cilët i ka ftuar për darkë.

Bëhet e ditur se në mbështetje të dialogut, nesër Kosëvën do ta vizitojë edhe special i BE-së, Miroslav Lajçak.

Mbështetja e SHBA-së

Gjithashtu sipas mediave në Kosovë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është i gatshëm të përfshihet edhe personalisht në dialogun Kosovë-Serbi.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, kur u pyet nëse është e mundshme që Blinken të mirëpresë një takim në Washington para 1 shtatorit.

“Nëse e shohim të udhës se angazhimi i Sekretarit përmes telefonit ose personalisht është diçka e domosdoshme për të arritur diçka të tillë në vijën e finishit, Sekretari Blinken nuk heziton të marrë telefonin dhe t’i bëjë ato biseda.”, tha ai.

Price shtoi se janë duke i përcjellë me vëmendje bisedimet dhe se i mbështesin ato, duke potencuar se njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë në qendër të rezultatit përfundimtar..

“Ne jemi të angazhuar në këtë. Ne kemi qenë thellësisht të angazhuar si vëzhgues në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ashtu siç thashë javën e kaluar, ne besojmë se bisedimet janë duke vazhduar. Ne jemi duke i parë. Ne po e bëjmë këtë në partneritet me BE-në dhe po inkurajojmë të dyja palët që ta përdorin dialogun në mënyrë efektive. Është një dialog që ne e mbështesim shumë dhe mendojmë se është detyrë e të dyja palëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të çuar përpara diskutimet e tyre për normalizim të marrëdhënieve, të përqendruara edhe në njohjen reciproke”, theksoi Price.

Ai ka thënë se për të dëshmuar këtë mbështetje për dialogun, SHBA ka dërguar emisarin Escobar në Bruksel dhe ka konfirmuar se ai do të vijë në Prishtinë dhe më pas do të shkojë në Beograd.

“Ai udhëtoi, natyrisht, në Bruksel javën e kaluar dhe së shpejti do të udhëtojë në Prishtinë dhe Beograd për të vazhduar mbështetjen tonë për dialogun”.

Çfarë ndodhi në tryezën e ndërmjetësuar nga Brukseli?

Vizita e Escobarit dhe Lajçakut vjen pas dështimit të arritjes së ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në takimin e 18 gushtit që pati kryeministri Kurti me presidentin serb Vuçiç, në Bruksel.

Pas takimit pesëorësh në Bruksel, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, tha se negociatat e asaj dite nuk rezultuan me një marrëveshje, por shpresonte se do të kishte takim tjetër, para 1 shtatorit.

Një shtatori është data, të cilën Qeveria e Kosovës ka caktuar hyrjen në fuqi të vendimit të saj për targat e lëshuara ilegalisht nga Serbia dhe lëshimit të një letre hyrje/dalje për shtetasit serbë që hyjnë në Kosovë, ashtu siç lëshohet për kosovarët që hyjnë në Serbi.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej