Twitter e ka seriozisht, bën realitet padinë për Elon Musk/Tjetër kapitull në sagën Twitter-Musk!

Twitter konfirmoi se e paditi miliarderin Elon Musk, duke kërkuar ta detyrojë të përfundojë blerjen prej 44 miliardë dollarësh të kësaj platforme të rrjeteve sociale. Musk dhe Twitter po bëhen gati për një betejë ligjore, pasi të premten e kaluar, kreu ekzekutiv i Tesla-s njoftoi se po tërhiqet nga marrëveshja e arritur në prill, për blerjen.

Ai përmendi dështimin nga ana e Twitter-it për t’i dhënë informacion të mjaftueshëm mbi numrin e llogarive false në këtë platformë. Twitter u përgjigj menjëherë, duke paralajmëruar se do ta padisë Muskun, që ta detyrojë t’i përmbahet kushteve të marrëveshjes. Twitter-i njoftoi se “do të luftojë për të përfunduar blerjen”, të cilën bordi i kompanisë e ka miratuar dhe shefi ekzekutiv i saj Parag Agrawal këmbëngul ta realizojë. Në një letër drejtuar bordit të Twitter-it, Mike Ringler, avokat i Muskut, ankohej se për gati dy muaj, klienti i tij kërkoi të dhëna rreth llogarive “të rreme ose të padëshiruara”, në platformën e medias sociale.

Në padi, thuhet se “Musk refuzon të respektojë detyrimet ndaj Twitter-it dhe përfaqësuesve të kompanisë, sepse marrëveshja që ka nënshkruar, nuk i shërben më interesave të tij personale”.

Pasi bëri një spektakël publik duke përdorur Twitter-in dhe propozuar që të ketë marrëveshje miqësore me të, Musk duket se beson se ndryshe nga palët e tjera që janë subjekt i ligjit të kontratës së Delauerit, është i lirë të ndryshojë mendjen, të sulmojë kompaninë, të pengojë operacionet, të shkatërrojë vlerën e aksioneve e të largohet nga marrëveshja.

Twitter e dorëzoi padinë në një gjykatë në Delauer, që shpesh merret me mosmarrëveshje biznesi mes firmave të mëdha. Kur në muajin prill të këtij viti, Musk ofroi që ta blinte kompaninë, bordi i saj e kundërshtoi fillimisht këtë ide, por më pas ra dakord e dha miratimin. Më 25 prill, Twitter njoftoi se ka vendosur t’ia shesë kompaninë miliarderit Musk, për 54.20 dollarë për aksion. Në një deklaratë të përbashkët, Musk u zotua se do të hiqte disa prej kufizimeve të lirisë së shprehjes e do të largonte llogaritë e rreme.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej