Shkodra ka pasur një numër të madh kryetarësh bashkie prej vitit 1992. Madje që nga 1991 fare kur babai i Bardh Spahisë, i ndjeri Ali, i mori detyrën ex ufficio Terezina Marubit si kryetare e Komitetit Ekzekutiv.
Nga të gjithë kjo aradhë, mbahen mend shumë pak ose aspak maksimumi dy prej tyre: kryetari i parë Filip Guraziu e Bahri Boriçi, i cili mundi Partinë Demokratike në kulmin e pushtetit të saj në vitin 1996.
Bardh Spahia, është një nga ata emrat që Sali Berisha ka emëruar personalisht në Shkodër, pikërisht për t’i lënë anonimë, ngase e konsideronte Shkodrën si një basen të votave të tij. Aq e vërtetë ishte kjo, sa, kur u shpall ‘Non Grata’ nga SHBA, shkoi në Shkodër dhe gjeti një student fanatik që sulmonte Lulzim Bashën, duke imituar Berishën, një sport që në fillim të viteve 90 e bënin të gjithë për gallatë në lokale e zijafete familjare.
Bardh Spahia, i ftuar në studion e Ylli Rakipit tha se votat e tij ja kishte marrë krimi, pavarësisht se nuk dha asnjë argument e provë për të provuar një gjë të tillë.
Realisht, humbja e Bardh Spahisë ishte një kronikë e paralajmëruar, pasi thjesht po të shohësh votat që e zgjodhën kryebashkiak në 6 mars 2022 vëren se ai u zgjodh i pari i Shkodrës me pakicën e votave të qytetarëve.
Por votat e 14 majit janë edhe më të rënda për njeriun që Sali Berisha e rizgjodhi për të qenë përfaqësuesi i tij i deleguar në qytetin më të madh të veriut.
Bardh Spahia mori më pak vota se edhe subjektet politike të opozitës të marra së bashku. Ç’ka në përgjithësi në zgjedhjet lokale kandidati merr më shumë vota sesa partia apo partitë, duke korrur edhe ndonjë votë gri apo preferenciale.
Kështu, Bardh Spahia mori 22804 vota, ndërsa në këshillin bashkiak, të gjitha partitë opozitare morën 24196. Gjë që nuk ka ndodhur në asnjë bashki tjetër.
Spahia mori vetëm 2700 vota më shumë se 6 marsi 2022 kur u zgjodh kryetar në zgjedhjet e pjesshme. Duke ju referuar faktit se atëherë mori edhe votat që sillte Agron Çela si kreu i LSI-së në qark, atëherë del se më 14 maj, Bardhi mori numrin më të madh që mund të merrte.
Ndërkaq, gjatë gjithë kohës, ai përdori votat e partisë së Tom Doshit, si një alibi për humbjen e tij.
Doshi, i cili është homolog me shefin e Bardhit, pasi është ‘Non Grata’ edhe ai nga SHBA, madje para Sali Berishës, në votat e 14 majit në bashkinë Shkodër ka marrë 12 mijë vota.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Doshi ka marrë gati 10 mijë vota. Pra rritja është vetëm 2 mijë, ndërkohë që Benet Beci ka një diferencë prej 12 mijë votash me kandidatin e Berishës në Shkodër. Që brenda kësaj vote kundër Sali Berishës ka edhe devijim është e qartë, pra shumë votues të PD-së në vite kanë devijuar votën e tyre për Benet Becin. E ky është një fakt më shumë politik sesa justifikues.
Si Bardh Spahia ashtu edhe Sali Berisha po sillen me Shkodrën si mosmirënjohës klasik. Pasi edhe nëse një ditë bën vaki që dikush të mos të votojë kur e ka bërë këtë për 33 vite rresht, si fillim e ka një shkak. E më pas ka edhe arsye që kanë çuar në këtë shkak. Arsyeja kryesore është shumë e thjeshtë. Ka një votë kundër Sali Berishës në mënyrë politike prej atij elektorati që i përket PD-së. Të cilët kanë zgjedhur Benet Becin, që e shohin më demokrat sesa doktori, i cili më 6 mars pranoi me kënaqësi që si aleat të kishte Tom Doshin në Shkodër apo Qifen në Elbasan, të cilët janë ‘Non Grata’ si ai. E duke pasur parasysh se ata i ka kolegë, as Berisha e as ndjekësit e tij nuk mund të ankohen se votat i bleu një ‘Non Grata’, se pështyma i bie në fytyrë.
Në vija të trasha, madje edhe në të holla nëse duan, fitorja e Benet Becit i ka dhënë një shans të madh opozitës. Që të merren me veten, e madje nuk do të ishte keq sikur të gjenin një lider nga Shkodra, për të projektuar fitoren në zgjedhjet e 2025. Natyrisht duke kërkuar votat e humbura më 14 maj, edhe për faj të Bardhit të shkretë, i cili u bë barsaletë në qytet, pasi për 1 vit ndërtoi vetëm ‘policë të shtrirë’ e nuk asfaltoi as rrugët e lagjes pas teatrit Migjeni, që më qendër se kaq, nuk ka.
Pastaj politika është edhe konseguencë. Nuk mund të ankohesh për votat e krimit, kur kandidat e madje këshilltare ke familjarin e një prej personazheve më të tmerrshme të krimit në Shkodër. Apo jo Bardh?!/Pamfleti