Vetëm hajnat i frikësohen konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme?!

Nga Emin AZEMI

Një opozitë konstruktive do të duhej që, krahas vërejtjeve mbi Projektligjin për Byronë për konfiskimin dhe verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme, të tregojë dhe gatishmëri e vullnet që lufta kundër krimit dhe korrupsionit të jetë prioritet shtetëror, e cila nuk do të kursente asnjë zyrtarë të lartë shtetërorë, përfshi edhe eksponentët kryesorë të opozitës.

Nëse në programet e të gjitha partive politike i jepet prioritet luftës kundër korrupsionit, pse tani ka hezitime që kjo luftë të mos fillojë, ose mundësisht të fillojë me shumë mangësi e obstruksione.

Opozitarët e sotëm, edhe në fushata zgjedhore premtonin luftë të pa kompromis kundër krimit e korrupsionit.

Aktualisht kjo nuk po ndodhë në Kosovë. Po kritikohet vetëm Projektligji, por po mungon qasja vetëkritike e subjekteve politike, që deri para disa viteve ishin në pushtet. Këto të fundit nuk kanë pse brengosen kaq shumë rreth idesë për ngritjen e një Byroje kombëtare e cila do të konfiskonte pasurinë e pajustifikueshme, nëse janë të pastër dhe të paprekur nga virusi i korrupsionit. Opozita ka të drejtë të kërkojë transparence në këtë proces dhe të këmbëngulë në paanshmërinë dhe mosndërhyrjen politike, si tregues që provon objektivitetin e organeve ligjzbatuese që do të inicojnë dhe ekzekutojnë ligjërisht  të gjitha aferat korruptive që kanë ndodhur brenda 14 viteve të fundit.

Me këtë projektligj parashihet që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ekzistojnë dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme. Përveç tyre, verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do bëhet edhe për anëtarët e familjes së tyre dhe palëve të treta, që nënkupton personat te të cilët dyshohet se është bartur pasuria e zyrtarëve publikë.
Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme përfshin periudhën nga data 17 shkurt 2008, dhe periudhën brenda dhjetë vjetësh nga momenti kur zyrtarët publikë pushojnë së ushtruari funksionin e tyre.
Në konstatimet e Komisionit të Venecias rekomandohet ndërmarrja e veprimeve për ndryshimet e nevojshme ligjore dhe kushtetuese, në mënyrë që të arrihet rezultati i synuar për një gjyqësor me integritet profesional dhe efikas dhe e sheh legjitim krijimin e një sistemi të tillë të konfiskimit në Kosovë, duke e parë atë si masë të rëndësishme në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ky Komision gjithashtu vlerëson se në kontekst të Kosovës “një masë e tillë mund të jetë e rëndësishme për të përcaktuar bazën e zhvillimit ekonomik të vendit” (para. 18). Megjithatë, natyrisht, për Komisionin e Venecias është esenciale që, pa marr parasysh qëllimin legjitim të kësaj mase, e njëjta të jetë në pajtueshmëri me Kushtetutën e vendit dhe standardet evropiane, në veçanti në fushën e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Në këtë drejtim, Komisioni i bërë disa vërejtje këtij  Projektligjit, përfshi edhe çështjen e pavarësinë dhe kompetencave të pamjaftueshme të Byrosë. Nëse  Procedura  zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm politizohet, atëherë cenon pavarësinë e Byrosë, e cila sipas Komisionit është shumë e nevojshme për luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë.

Por, sidoqoftë  ky është vetëm leximi i parë i Projektligjit për Byronë për konfiskimin dhe verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme, kështu që ka hapësirë dhe mundësi që të gjitha vërejtjet e Komsionit të Venecias, si dhe vërejtjet e opozitës të inkorporohen në versionin përfundimtar të këtij ligji mjaft të rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës.

Krejt në fund, Projektligji për Byronë për konfiskimin dhe verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme , i cili pritet të debatohet sërish në Kuvendin e Kosovës, do të duhej, megjithatë, të përmbajë disa elemente të qëndrueshme që do ta bënin këtë projekt ligj rezistues ndaj kritikave dhe frikës së njerëzve për ndonjë hakmarrje politike

Pra ky Projekt ligj para se të shkaktojë ndasi dhe përplasje të panevojshme politike, do të duhej të përgjigjet në këto pyetje esenciale:

A rrezikohet që Byroja të shndërrohet në mashë të qeverive që kanë shumicën parlamentare?

A cenohet siguria juridike e zyrtarëve publik dhe familjarëve të tyre?

Sa janë të cënueshme të dhënat personale sipas këtij projektligji?

Cili është rreziku i kamuflimit të pasurisë së pajustifikueshme për zyrtarët që kanë fituar pasuri para vitit 2008?/ Pamfleti

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej