Vllaznia poker Teutës në “Loro Boriçi”: Martini merr në Shkodër pritjen që nuk do ta donte

Dy fitore radhazi e pastaj errësirë. Teuta dërrmohet në Loro Boriçi nga Vllaznia me një 4-0 që lë pak vend për interpretime. Skuadra e Mirel Josës dominon ndeshjen dhe i jep fund krizës së rezultateve, në mbyllje të vitit 2022. Teuta merr një goditje të fortë, duke mbetur përsëri e fundit.

Dy fitore radhazi me Edi Martinin në krye për Teutën e tre ndeshje radhazi pa fitore për shkodranët. Ajo që rëndonte edhe më shumë mbi kuqeblutë ishte se nuk kishin shënuar në 270 minuta. Ndoshta karikimi i duhur për të dominuar në Loro Boriçi, duke shënuar katër gola, dy nga të cilat me penallti. Shkodranët i bashkohen grupit të skuadrave që luftojnë për zonën e Europës.

U duk se Teuta kishte impaktin më të mirë me ndeshjen, ndaj dhe goli i avantazhit i Hakaj, ishte krucial për sfidën. Vllaznia shënoi në aksionin e parë të rrezikshëm, duke ndëshkuar durrsakët me Hakajn. Goditje që skuadra e Martinit e ndjeu, sidomos pas penalltisë së fituar nga Mala. Nga pika e bardhë Kaina nuk gaboi, duke vendosur në siguri rezultatin. Teuta u fshi nga fusha dhe Zogoviç pati një ndeshje të qetë.

Ish-mesfushori i Partizanit Mala fitoi edhe penalltinë e dytë në pjesën e dytë. Këtë herë mundësia për tiu gëzuar golit ishte për Hoxhaj, që nuk e la rastin t’i shpëtonte. Teuta e humbi sensin e ndeshjes krejtësisht dhe kartoni i kuq për Blerim Kotobellin, vulosi fatin e ndeshjes. Në minutat shtesë, Kaina fiksoi dygolëshin personal për t’i çuar shifrat në 4-0. Tre pikë të rëndësishme për Vllazninë, me 22 pikë në vendin e katërt, në shoqërinë e Erzenit. Fundi i renditjes për Teutën edhe njëherë, në mbyllje të një viti për tu harruar.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej