Xhelal Mziu: Nuk do të shkoj në protestë për interesin e Berishës, por për qytetarët

Deputeti demokrat  Xhelal Mziu, ka konfirmuar se do të marrë pjesë në protestën kombëtare të 7 korrikut që do të mbahet para Kryeministrisë në Tiranë.

Ai u shpreh në një intervistë për “Top Talk” se do të jetë i pranishëm për interesat e qytetarëve dhe jo për interesat e një individi, si Berisha.

Ai tha se do të jetë në shesh, si demokrat dhe do të protestojë kundër qeverisë që drejton Edi Rama:

“Besoj që organizimi i kësaj proteste, mund ta quaj dhe një sfidë që Berisha bën në aspektin e tij personal, por ajo që mua më bën të shkoj, e para është se janë demokratë ata që marrin pjesë. Së dyti, është krijuar një situatë, në të cilën, jo vetëm demokratët, por dhe socialistët, duhet të dalin dhe të protestojnë.

Nuk shkoj për individ, por shkoj me zemër për qytetarët, të cilët ndodhen në situatën më kritike për shkak të çmimeve”, tha Xhelal Mziu.

I pyetur nëse do ta përdorë Berisha pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve si mbështetje për të, Mziu tha se deputetët e PD e kanë një integritet të jashtëzakonshëm.

Kjo është dhe një mundësi për të luajtur politikisht Berisha, por unë them që deputetët kanë një integritet të jashtëzakonshëm, dhe shumica e kolegëve, bashkë me mua, e kanë treguar këtë, duke mos u imponuar për t’u bërë palë. Së dyti, ne kemi qenë ata, që në njëfarë mënyre, e kemi imponuar dhe Lulzim Bashën të japë dorëheqjen. Që do të thotë se gjithsecili e ka peshën e votës që ka marrë te qytetarët”, u përgjigj deputeti demokrat.

Sipas tij pjesa më e madhe e Grupit Parlamentar të Patisë Demokratike është e angazhuar të pengojë më tej përçarjen brenda partisë.

“Unë dhe shumica e Grupit Parlamentar të PD-së jemi të angazhuar për të mos u bërë palë, sepse PD duhet të jetë më e madhe se sa është, jo e ndarë në dy dy copa. Kështu që, unë dhe shumica e demokratëve janë të prirur për të pasur një opozitë të bashkuar, për të pasur një opozitë konkurruese. Madje dhe vetë socialistët e kërkojnë të ketë një gjë të tillë. Vendi ka nevojë për një opozitë të fortë dhe shpresoj që kjo ditë të mos jetë e largët. Së pari të ndodhë unifikimi i PD-së dhe pastaj për të kaluar përtej PD-së dhe pse jo, për ta rrëzuar këtë sistem”, u shpreh ai.

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej