Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim në një komunikim për mediat pas konferencës së 110-vjetorit të Gjykatës së Lartë ka dhënë mesazh të fortë për shitblerjen e votave teksa na ndajnë vetëm 4 ditën nga zgjedhjet lokale.
Ajo tha se ka parë raportime për blerje votash dhe i bëri thirrje institucioneve të veprojnë.“Të gjithë që kanë të drejtë për të votuar, duhet të votojnë, kemi parë raportime për blerje dhe shitje votash dhe shpresojmë që autoritet do të bëjnë detyrën e tyre, nëse disa po thonë se po blen vota për një parti politike, ndaj kësaj partie politike duhen ndërmarrë veprime”, tha Kim për gazetarët.
Ditën e sotme një 52-vjeçar nga Tirana është arrestuar dhe një 61-vjeçar është vënë nën hetim pasi po komunikonin me njëri-tjetrin për shit-blerje votash për partinë e Ilir Metës.
Policia bazuar në pamjet filmike të postuara në portale, në të cilat shfaqet Kristo Agalliu, që komunikon për shit-blerje votash me Agron Durajn, ka arrestuar 52-vjeçarin, koordinatori i Partisë së Lirisë në Kuçovë.
“100 mijë lekë është turp. Hajde t’ja marrim kot, por turp 100 mijë lekë. Po mirë t’i dy vota ke, unë kam katër vota. Po mirë unë kam makinë vetë, ç’e dua makinën e tij unë! Po të më hedhë karburantin ai… Thoji kështu, më dëgjo, i thuaj 100 mijë lekë dhe 50 mijë lekë naftë, hajde pazari i fundit”, ishte kjo biseda e Kristo Agalliut me Agron Durajt përmes telefonit.