“Z. Nano mos e shih situatën me dylbi, kjo është qeveria e karantinave”

Nga Denis Dynjaja

Ngjarja e fundit tronditëse e vrasjes së 7 vjeçares Jonada Avdia po na shfaq edhe një herë pafuqinë, pazotësinë dhe paaftësinë e strukturave shtetërore për të menaxhuar situatën në plazhe dhe në tërësi sezonin turistik. Drejtuesit e policisë po sillen si amatorë me vendime emotive, të nxituara, të pamenduara e të ndikuara nga presioni i ngjarjeve dhe presioni publik. Në fakt këtu qëndron edhe problemi, te forma e zgjidhjes, kur përballesh me të tilla situata si rasti i keqpërdorimit të hapësirës detare për argëtim. I vendosur nën presionin e ngjarjeve tragjike të fundit të një çifti që u godit në bregdet nga një skaf e 7 vjeçares nga një gomone dhe duke njohur kapacitetet e policisë që se menaxhon dot kontrollin e mjeteve lundruese në det, drejtori i policisë merr një vendim ekstrem dhe drastik duke pezulluar të gjithë lëvizjen e mjeteve motorike të pushuesve me shkakun e kontrollit të dokumentacionit etj. Është njësoj si të ndodhë një aksident rrugor e të ndalosh të gjithë qarkullimin e automjeteve., ose të ndodhë një vrasje e të ndalosh njerëzit të dalin nga shtëpia.

Këto zgjidhje janë së pari në kundërshtim me të drejtat dhe liritë e shtetasve, amatoreske nga ana strategjike dhe veçanërisht të nxituara e që nuk zgjidhin problemin. Këto janë vendime që tentojnë thjeshtë të shfryjnë presionin publik. Por përtej çdo ngjarjeje dhe sado e rëndë qoftë ajo jeta vazhdon. Dhe policia apo çdo strukturë tjetër shtetërore ekziston që të sigurojë pikërisht vazhdimësinë e normalitetit. Por nuk mund të rregullosh një sjellje apo veprim anormal të një individi, duke privuar tërë pjesën tjetër të komunitetit që është i përgjegjshëm. Shumë njerëz që kanë mjete lundruese i përdorin ato për të mbajtur familjet, pra për punë. I kanë biznes familjar dhe i përdorin si mjet transporti për të dërguar pushues apo turistë në zona të ndryshme për plazh ose vizita turistike. Shumë të tjerë i përdorin këto mjete për arsye familjare brenda rregullave dhe normave. Janë të pajisur me leje dhe dokumentacion të rregullt e për më shumë janë njerëz që nuk e kanë të mbushur kokën me “benzinë” që iu merr flakë nga i nxehti apo adrenalina e tepruar, por janë njerëz normalë e më përgjegjshmëri.

Ndaj paaftësia e policisë për të zotëruar situatën, nuk zgjidhet duke marrë masa diskriminuese për shumicën, bazuar mbi emotivitetin e presionit publik sepse kështu penalizohen dhe privohen të gjithë. Ka plot mënyra për të mbajtur situatën nën kontroll, por së pari drejtori i përgjithshëm i policisë duhet të sigurohet se policia është në detyrë funksionale, jo formale. Pra jo thjeshtë si prezencë uniforme, por si prezencë efektive veprimi. Dhe ligji e ka të qartë se ku duhet të qëndrojnë mjetet lundruese, korridoret ku duhet të lundrojnë dhe kush duhet t’i përdorë. Zakonisht birbot që dalldisin kuptohen dhe duken menjëherë. Ndaj çdo subjekti që ofron shërbime me mjete argëtimi në det duhet t’i kërkohet të monitorojë situatën e mjeteve që vë në dispozicion të pushuesve për argëtim. Nëse së bën përveç shkelësit konkret edhe personit që disponon mjetet lundruese (jetsky, gomone apo skafe) ti hiqet licensa e t’i sekuestrohet edhe mjeti ose mjetet lundruese që disponon. Sikurse për përdoruesit e rrugës, pra shoferët, mjetet lundruese të çdo lloji duhet ndaluar t’i jepen në përdorim njerëzve që kanë konsumuar alkool. Pra nëse ai që jep jetsky një personi që ka pirë alkool duhet të ndëshkohet.

Nëse nuk është e normuar ligjërisht të amendohet ligji e të shtohet si nen. Të pajisen me matës alkoli ata që administrojnë mjete detare për argëtim. Për pjesën tjetër duhet të veprojë policia detare. Të krijohet një forcë e posaçme e policisë detare që të mbikëqyrë dhe kontrollojë ata drejtues mjetesh që lundrojnë të pirë ose nën efektin e substancave narkotike. Nëse kapen në shkelje në burg të shkojë polici që ka toleruar jo ai që është intoksiuar. Sepse më i fajshëm është ai që toleron sesa ai që konsumon. Me këtë rast do ketë më pak korrupsion. Ndërkohë problemi kryesor madje thelbësor qëndron te sensibilizimi. Fushatat senisbilueze për sjelljen me mjetet motorike janë zero. Ka parë kush ndonjëherë ndonjë fushatë sensibilizimi në media nga policia në prag të sezonit turistik. Zero! Policia duhet të ndërmarrë çdo vit fushata të gjera informimi para sezonit turistik për sjelljen dhe përdornim e mjeteve detare. Por pse nuk ndodh kjo?! Për mungesë fondesh. Jo jo. Kjo nuk ndodh sepse mungon kreativiteti, institucioni është në apati shumëvjeçare. Nuk i përgjigjet dinamikës së zhvillimeve në terren. Edhe në raport me kriminalitetin, nuk zgjidhet me rokadë emrash e drejtuesish, por me analiza e vizion mbi gjendjen në terren. Situata kërkon një revolucion mental sesi duhet t’i qaset policia realitetit dhe dinamikave të tij. Por këtë së bëjnë dot drejtuesit burokratë që shkojnë për të marrë rrogën dhe mbajtur një detyrë në polici. Policimi në komunitet është sektori që duhet të ketë prioritet, ndërkohë që faktet flasin se e kemi thjeshtë si një sektor që ekziston si formalitet. Dhe për koinçidencë njeriu që shkaktoi aksidentin tragjik në plazhin e Potamit ku humbi jetën Jonada 7 vjeçare, ishte pikërisht drejtor i sektorit të policimit në komunitet. Pra ndërgjegjësimi është më i rëndësishëm sesa reagimi pasi ndodh pasoja.

Njerëzit duhet të mësohen dhe edukohen. Nuk edukohen ata që s’kanë ndërgjegje nga shkarkimi i zinxhirit komandues në një komisariat policie. Por ndërgjegjësohen duke iu bërë të ditur çfarë pasojash ata sjellin me veprimet e tyre të papërgjegjshme, duke rrezikuar jetë njerëzish kudo qofshin në rrugë apo në det. Nuk rritet siguria me akte populiste, por me veprime konkrete, eficente e realiste. Me kulturë ndrydhet në sjellje edhe individi më idiot. Ndaj duhet sensibilizim dhe jo fushata propagandistike ministrash për suksese në turizëm. Nuk është turp të mos dish, turp është të mos mësosh ose mashtrosh. Për sa kohë ne as dimë të sillemi, as të mësojmë të sillemi, por tentojmë të mashtrojmë veten dhe opinionin publik. Nëse do vazhdojmë kështu ngjarje më të tmerrshme do shohim apo dëgjojmë sërish. Me këtë dalldi veniteti e luksi të shfrenuar, shpesh të vënë edhe në mënyrë të pamerituar, zor se fati mund të jetë në krahun e njerëzve normalë. Ndaj një këshillë miqësore për drejtorin e përgjithshëm të policisë.

z. Nano nuk është rasti ta shohësh situatën me dylbi, as të jesh vetë në terren sa në jug e në veri. Kjo situatë zgjidhet thjeshtë fare me zgjuarsi e strategji. Kapemi problemin nga koka, jo nga bishti, kapeni nga shkaku e jo nga pasoja. Nuk vendoset rregulli duke privuar njerëzit nga jeta normale me karantina e moratoriume, por duke i bërë të vetëdijshëm çfarë është e lejuar e çfarë e ndalume!

Te rekomanduar

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Marketing

Lexo mË tej